E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, nuk ndryshon tarifa e strehimit

Ndahen dhomat për studentët e vitit të dytë e lart. Regjistrimet për studentët e rinj do të nisin pas datës 11 shtator, dokumentet që duhen

Nuk ndryshon tarifa e strehimit për studentët që gjatë vitit të ri akademik do të akomodohen në godinat e Qytetit Studenti. Për rrjedhojë, edhe gjatë këtij viti studentët do të paguajnë një taksë prej 40 mijë lekësh. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, i cili sqaron se për vitin e ri akademik do të akomodojë rreth 1850 studentët e rinj, ndërsa në total bashkë me të vjetrit numri total i studentëve që do të strehohen shkon 6200 banorë. Regjistrimet për 1850 studentët e rinj do të nisin pas datës 11 shtator, dhe dosja e regjistrimit duhet të përmbajë: certifikatën me fotografi të periudhës korrik–tetor 2011 ose fotokopje e kartës së identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar; fotografi - 3 copë; vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje); raport mjekësor nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore; mandat pagesën; urdhër regjistrimi nga inspektorët regjistrues, që janë të vendosur pranë çdo bujtine. Drejtori i Qytetit Studenti shprehet se kapaciteti për t’u akomoduar përfundon deri në fund të muajit tetor, pasi dhe kushtet tashmë janë drejt përmirësimit. Në ndihmë të studentëve tashmë janë edhe informacionet që përcillen në kohë reale sa i takon vendit ku do të akomodohet, dhe për këtë arsye do të aplikohet mbi faqen zyrtare, kjo dhe për të bërë pagesën në llogarinë përkatëse. Ndërkohë që secili prej studentëve të vitit të dytë e lart, tashmë mund të marrin përgjigjen direkt në internet, nga vendi ku banon. Drejtori Brovina shpjegon se në faqen e internetit të Qytetit Studenti, tashmë janë bërë publike për të gjithë të interesuarit dhomat përkatëse se ku do të qëndrojnë ata gjatë vitit të ri akademik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›