E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet e të dënuarve, mbërrijnë 100 kërkesa nga Italia



Laureta Rryçi

Në Ministrinë e Drejtësisë prej pak ditësh kanë mbërritur rreth 100 dosje nga Italia. Bëhet fjalë për kërkesat e të dënuarve shqiptarë, të cilët kanë plotësuar formularin për t’u transferuar në burgjet shqiptare për të vuajtur pjesën e dënimit që u ka mbetur. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan se këto dosje janë marrë për shqyrtim të imtësishëm nga juristët e dikasterit. Jo vetëm do të shikohet dosja për secilin të burgosur që ka bërë kërkesë, por do të kihet parasysh edhe burgu ku është shprehur dëshira për të vuajtur dënimin. Në këtë moment, burgjet shqiptare kanë ulur disi numrin e mbipopullimit dhe ndoshta kjo është një arsye e mirë për t’i pranuar këto kërkesa nga ana e shtetit tonë. Kërkesa për t’u transferuar në Shqipëri mësohet se ka pasur edhe nga shqiptarët që ndodhen në burgjet greke, por me vendosjen e rregullave të reja pritet që ky proces të nisë sërish.
Kriteret
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, shtetasi shqiptar që vuan një dënim me burgim në një shtet të huaj, me kërkesë të tij, mund të transferohet në Republikën e Shqipërisë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burgim të dhënë në shtetin e huaj. Kërkesa e tij mund të pranohet vetëm me pëlqimin e shtetit dënues, me kusht që jo vetëm shtetasi shqiptar i dënuar të ketë shprehur pëlqim për transferimin, por edhe pjesa e mbetur e dënimit të mos jetë më pak se gjashtë muaj. Për procedurat e dhënies së vendimeve për kërkesat e shtetasve shqiptarë për transferimin në Republikën e Shqipërisë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin dënues vlejnë dispozitat e këtij ligji për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Vendimi i gjykatës vendase për njohjen e një vendimi penal të huaj i komunikohet personit të dënuar në shtetin dënues dhe u paraqitet, gjithashtu, autoriteteve përkatëse të shtetit dënues. Pas këtij vendimi, i dënuari nënshkruan për marrjen dijeni të vendimit dhe konfirmimi për këtë veprim i paraqitet edhe gjykatës që e ka dhënë vendimin. Pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë dhe autoritetet përkatëse të shtetit dënues të kenë rënë dakord me të, fillon marrja e masave për transferimin e personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë.
Kushtet
Sipas Konventës, janë një sërë kushtesh që duhet të plotësojë një i dënuar që të transferohet në vendlindjen e tij për të vuajtur dënimin. Në përputhje me Konventën, një person i dënuar mund të transferohet vetëm në kushtet e mëposhtme: nëse ai person është shtetas i shtetit zbatues; nëse vendimi është i formës së prerë; nëse në kohën e marrjes së kërkesës për transferim
personi i dënuar ka ende të paktën gjashtë muaj të dënimit për të vuajtur, apo nëse dënimi është i papërcaktuar; nëse për transferimin është dhënë pëlqimi nga personi i dënuar ose kur, duke marrë parasysh moshën ose gjendjen e tij fizike e mendore dhe kur njëri prej të dy shteteve e konsideron atë si të nevojshme, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të personit të dënuar.

Dokumentet që duhen plotësuar për t’u transferuar

Shqiptarët e dënuar, për të mbërritur në vendlindje, duhet të plotësojnë në të njëjtën kohë një sërë dokumentesh për t’ia servirur më pas autoriteteve të huaja ku ndodhen në formën e një dosjeje. Shteti dënues i jep mundësi shtetit zbatues që të verifikojë nëpërmjet një konsulli ose një zyrtari tjetër, për të cilin është rënë dakord nga shteti zbatues. Nëse veprimet apo mosveprimet, në bazë të të cilave është dhënë dënimi, përbëjnë një vepër penale në përputhje me të drejtën e shtetit zbatues ose do të përbënte një vepër penale nëse do të ishte kryer në territorin e tij.

Kostoja për tranzitin
Secili shtet mund të kërkojë që kërkesat për transferim ose dokumentet shtesë të shoqërohen me një përkthim në gjuhët ose në njërën nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Europës, ose në njërën nga gjuhët që ai bën të ditur me anë të një deklarate drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës në momentin e
nënshkrimit ose kur të depozitojë instrumentin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose anëtarësimit. Në këtë rast, ai mund të deklarojë gatishmërinë e vet për të pranuar përkthime në çdo gjuhë tjetër, përveç gjuhës ose gjuhëve zyrtare të
Këshillit të Europës. Përveç kufizimit të parashikuar në Nenin 6.2. a, dokumentet e transmetuara në zbatim të Konventës
nuk nevojitet të vërtetohen. Të gjitha shpenzimet e dala si rezultat i zbatimit të Konventës përballohen nga shteti zbatues, përveç shpenzimeve të dala ekskluzivisht në territorin e shtetit dënues.

Marrëveshja
Shqipëria, që më 17 maj të vitit 1993 ka hyrë në marrëdhënie juridike me Greqinë për transferimin e të burgosurve. Nga Greqia deri tani janë transferuar rreth 200 të dënuar dhe përgjithësisht janë vendosur në Burgun e Lushnjës. Fillimisht numri i kërkesave ishte shumë i lartë, por me të mbërritur në atdhe këta të burgosur u shprehën se ndjeheshin të zhgënjyer për shkak se prisnin uljen e dënimeve. Burime nga Ministria e Drejtësisë shpjegojnë se kërkesa të kësaj natyre vazhdojnë të bëhen edhe sot e kësaj dite, mirëpo transferimet nuk u realizuan më për shkak të çështjes së kapacitetit të burgjeve të vendit tonë.

Kriteret
Të gjithë shqiptarët që vuajnë dënimin në burgjet italiane, por duan të transferohen në burgjet shqiptare, duhet të mos kenë kryer vepra të rënda penale. Kjo për shkak se në pranimin e kërkesave merret parasysh rrezikshmëria shoqërore. Për rrjedhojë, eliminohen të gjitha kërkesat e atyre të dënuarve që kanë kryer veprën penale të vrasjes. Ndërkohë, merret parasysh edhe gjendja shoqërore. Ata të dënuar që kanë probleme familjare u jepet prioritet.

Dënimi
Të gjithë të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke apo italiane, në momentin që duan të plotësojnë një kërkesë për transferim në burgjet shqiptare, duhet të kenë parasysh se sa vite u kanë mbetur. Ata që kanë më pak vite janë dhe më të favorizuar për shkak të vendeve të pakta që ka në burgjet e vendit tonë. Po kështu, një kriter tjetër që ua rrëzon kërkesën e tyre është pjesëmarrja e tyre në grupe të organizuara kriminale.

Të dhëna për të dënuarit

2000
të dënuar shqiptarë ndodhen aktualisht në burgjet greke

2100
të dënuar shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet italiane

150
të dënuar shqiptarë janë transferuar nga Greqia për në burgjet shqiptare

Takimi që përshpejtoi procesin e transferimit

Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali shumë shpejt do të mund të transferohen në Shqipëri, ku do të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit. Kjo ka qenë tema kryesore e bisedimit mes kryeprokurores Ina Rama dhe kryeprokurorit të Antimafies italiane, Piero Graso, vetëm pak ditë më parë. Edhe pse takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se është diskutuar për ekzekutimin e letër-porosive respektive që janë në proces e sipër nga të dyja zyrat, si dhe në evitimin e vonesave të mundshme. Një nga temat më të rëndësishme të diskutuara gjatë takimit mes prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe prokurorit kombëtar të Antimafies italiane, Piero Graso, ishte mundësia e transferimit të disa shtetasve të dënuar nga shteti italian për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›