Shkatërrohet rrjeti shqiptaro-grek, sekuestrohen 137 kg Cannabis
ATHINË – Një tjetër tentativë trafikimi lëndësh narkotike drejt Greqisë ka dështuar, por kësaj radhe trafikantët janë ndaluar në vendin fqinj. Mediat greke njoftuan se të dielën pasdite janë arrestuar tre persona, një femër dhe dy meshkuj, banues në Sarandë, pasi iu është gjetur një sasi lënde narkotike në Igumenicë. Sipas tyre, në momentin e ndalimit janë sekuestruar 137 kilogramë Cannabis sativa dh 6 mijë euro. Autoritetet policore të vendit fqinj sqarojnë se tre të prangosurit ishin pjesë e një rrjeti shqiptaro-grek të trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë aksionit është kapur edhe një armë tip pistoletë dhe një shumë prej 6 mijë eurosh që mbaheshin nga personat e arrestuar.
Policia njoftoi më tej se ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë me kombësi shqiptare, të cilët dyshohet se janë pjesë e rrjetit.
Ditën e shtunë në mbrëmje Policia e Sarandës sekuestroi një ton lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa, e gatshme për t’u trafikuar në vendet fqinje përmes detit.
Itali, prangosen dy shpërndarësit shqiptarë të kokainës
SIENA – Dy emigrantë shqiptarë kanë përfunduar në prangat e Policisë italiane, pasi janë kapur duke shpërndarë kokainë. Burimet vendase pohuan se prangosja e shtetasve S. B., 26 vjeç, lindur në Vlorë dhe A. C., 42 vjeç, lindur në Durrës, është bërë të shtunën pasdite në qytezën Valdelsa. Operacioni përfundoi duke sjellë prangosjen e dy shqiptarëve në kushtet e flagrancës, pasi ata po u jepnin disa narkomanëve kokainë. Mediat italiane sqarojnë se dy shqiptarët po mbaheshin prej kohësh në vëzhgim, pasi njiheshin si furnizues të lëndëve narkotike. Në momentin e arrestimit policia sekuestroi një sasi kokaine dhe shumën prej 3000 eurosh, e cila ishte marrë nga shitja e drogës.
23 Mars 2010