Sëmundjet që klasifikohen si profesionale dhe pasojat tek punonjësit
Numërohen rreth 86 sëmundje që njihen si sëmundje profesionale dhe që shpeshherë kanë lënë pasoja tek shëndeti i punonjësve. Në bazë të ligjit, sëmundje profesionale është çdo sëmundje e shkaktuar si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve, që rrjedhin nga veprimtaria e punës. Caktimi i shkallës së humbjes së aftësisë për punë, shkaktuar nga sëmundje profesionale, është vetjak dhe bazohet në studimin morfo-funksional të individit, në kushtet e punës. Këto sëmundje deklarohen në mënyrë të detyrueshme, nga shërbimi shëndetësor, shtetëror dhe privat, nëpërmjet fletëdeklarimit të sëmundjeve profesionale. Të gjithë personat që janë prekur aktualisht, apo do të preken nga sëmundjet e klasifikuara si të tilla do të përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pagesë, ndihmë sociale e cila jepet sipas shkallës së sëmundjes dhe paaftësisë që krijon tek të prekurit. Ndërkohë që çdo ndërmarrje apo njësi punësimi që kalon numrin mbi 15 punonjës, duhet të ketë në përbërjen e saj një mjek të licencuar nga MSH-ja. Mjekët duhet të bëjnë raportime të qarta për gjendjen shëndetësore të punonjësve dhe në rast se ata nuk janë në gjendje pune duhet të largohen dhe t’u lidhet dokumentacioni për përfitimet përkatëse. Pjesë e listës së sëmundjeve profesionale janë: sëmundje të shkaktuara nga agjentët kimikë, sëmundje të shkaktuara nga beriliumi ose përbërësit e tij toksikë, sëmundje të shkaktuara nga kandmiumi ose përbërësit e tij toksikë, sëmundje të shkaktuara nga fosfori ose përbërësit e tij toksikë, sëmundje të shkaktuara nga kromi ose përbërësit e tij toksikë etj. Po kështu, edhe: kanceri profesional, kanceri i shkaktuar nga agjentët si; Amianti, Benzidina dhe kripërat e saj,
Eteri i diklormetilit etj.
7 Maj 2009