E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmshpërblimi, lekët që do tu zbriten ish-të përndjekurve për shtëpitë ose letrat me vlerë

Ministria e Drejtësisë zbardh skemën që do të ndjekë për secilin aplikim. Për përllogaritjen e dëmshpërblimit do të japin informacione edhe ministri të tjera

Laureta Rryçi

Tiranë - Zbardhet skema e përllogaritjes së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë me institucione të tjera shtetërore për të nxjerrë faturën financiare që do të përfitojë çdo ish-i përndjekur politik. Zyrtarisht thuhet se dikasteri i Drejtësisë do të bashkëpunojë në përllogaritje me Ministrinë e Financave, Entin Kombëtar të Banesave dhe Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, të gjithë të dënuarve politikë që kanë përfituar dëmshpërblime nga ligje të mëparshme, shuma e përfituar do t’u zbritet në dëmshpërblimin e tanishëm, që pritet të shpërndahet për secilin. Përfitimet do të llogariten edhe nëse janë marrë në formën e lekëve, letrave me vlerë apo në formën e pasurisë së paluajtshme. Vendimi ka përcaktuar se do të ketë dy formularë për ata që kanë përfituar në lekë dhe në letra me vlerë, si dhe për ata që kanë përfituar në pasuri të paluajtshme. Ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre, që pretendojnë të përfitojnë dëmshpërblim, duhet ta plotësojnë formularin me të dhëna të sakta, pasi rrezikojnë të përballen me ligjin për të dhëna të rreme. Madje jo vetëm kaq, por vendimi ka përcaktuar që ish-i dënuari humbet çdo të drejtë për të përfituar dëmshpërblim nëse deklaron të dhëna të rreme. Vendimi ka përcaktuar rregulloren për përfituesit që ndodhen brenda dhe jashtë vendit. Për ata që ndodhen brenda vendit ka përcaktuar si institucion për formularët e vetëdeklarimit Postën Shqiptare, ndërsa për përfituesit që janë jashtë vendit do të komunikohet nëpërmjet shërbimit konsullor në shtetin ku ndodhen.
Skema
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim, do të bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar në rastin e përfitimit pasuror, në të holla dhe letra me vlerë. Çdo kërkues, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet në të holla ose letra me vlerë, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i vetëdeklarimit i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës.
Formulari
Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, i dërgon Ministrisë së Financave një kopje të formularit të plotësuar dhe i kërkon të verifikojë përfitimet në të holla dhe letra me vlerë, të ish-të dënuarit politik nga ligjet e mëparshme. Ministria e Financave, pasi verifikon përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat e ish-Bankës së Kursimeve (aktualisht Raiffeisen Bank), i dërgon Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen zyrtare për masën që do të zbritet nga dëmshpërblimi brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Përgjigjja formulohet sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/znj.....” ose “Pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/zj..... Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse të ne nuk ka të dhëna”.
Box
Procedura që do të ndiqet për pasuritë e paluajtshme
Çdo kërkues, brenda dhjetë ditësh nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në pasuri të paluajtshme, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë, së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, u dërgon Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nga një kopje të formularit të plotësuar dhe u kërkon të verifikojnë përfitimet në pasuri të paluajtshme nga ish-të dënuarit politikë ne ligjet e mëparshme. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pasi verifikojnë, secila, përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat arkivore që kanë, i dërgojnë Ministrisë së Drejtësisë përgjigje zyrtare për masën e zbritur të përfitimit. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra qendrore e Pasurive të Paluajtshme brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës i japin përgjigje sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme”, ose “Pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritur është.... lekë, si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme, nga ish-i dënuari politik z/znj.... Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse te ne nuk ka të dhëna”.
Paraqitja në Ministrinë e Drejtësisë e formularëve të vetëdeklarimit nga ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre, kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare. Për kërkuesit me vendndodhje jashtë vendit, dorëzimi i këtij formulari kryhet nëpërmjet shërbimit konsullor përkatës. Punonjësi përgjegjës e përfshin këtë formular në dosjen individuale përkatëse. Pas marrjes së përgjigjes nga Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Drejtësisë bën zbritjen e masës së përcaktuar prej tyre nga shuma e dëmshpërblimit, e përllogaritur sipas Nenit 6 të ligjit që u miratua fundvitin e 2007-s për të përndjekurit politikë.

Kategoritë e reja që i janë shtuar skemës së dëmshpërblimit

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga zbatimi i këtij ligji mendohet se do të përfitojnë rreth 1500 ish-të dënuar apo të përndjekur politikë. Ligji parashikon ndryshime në Nenin 19 të ligjit ekzistues, duke ndryshuar në këtë mënyrë afatin e aplikimit. Ish-të përndjekurit politikë do të kenë të drejtë të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin financiar deri në datën 1.7. 2009. Ligji parashikon gjithashtu zgjerimin e kategorive që përfitojnë dëmshpërblim. Në ligjin ekzistues, pikërisht në Nenin 8, ishte parashikuar që përfitues të dëmshpërblimit të ishin rrethi familjar ku përfshiheshin paraardhësit, bashkëshortja dhe fëmijët. Ndërsa në ndryshimet e propozuara mund të përfitojnë edhe vëllezërit, motrat dhe nipërit e ish-të përndjekurit, në ato raste kur ky nuk ka pasur bashkëshorte dhe fëmijë. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit. Në kuptimin e këtij ligji, për personat që nuk kanë familjarë sipas përcaktimeve të pikës së parë të këtij neni, familjarë do të konsiderohen dhe vëllezërit e motrat e tyre, si dhe fëmijët e këtyre vëllezërve dhe motrave. Familjarët në shkallë të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”, - shkruhet në ligjin e miratuar dje nga Kuvendi. Ashtu sikurse parashikohet në ligjin ekzistues, kriteret për të aplikuar për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit mbeten të njëjta. Në Nenin 4 të ligjit ekzistues parashikohet se i dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: “të jenë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jenë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991”.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›