E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Sanatoriumit, 7.5 milionë euro për pajisje mjekësore



UniCredit Bank Austria do të financoje rreth 7.5 milionë euro për përmirësimin e pajisjeve mjekësore në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe përfaqësuesja e UniCredit Bank Austria, Florenca Ëendisheim, nënshkruan një marrëveshje, e cila do t’i mundësojë këtij spitali pajisjen me aparatura bashkëkohore dhe përmirësim të shërbimit ndaj pacientëve. Sipas kreut të Financave Publike, Ridvan Bode, kredia e akorduar nga UniCredit Bank Austria merret në zbatim të marrëveshjes kuadër të kredisë prej 25 milionë eurosh me qeverinë austriake. Sipas tij, kredia e marrë ka një afat deri në 14 vjet, përfshirë një periudhë prej 5.5 vjetësh pa pagesë fillestare dhe interes zero. Projekti për pajisjet mjekësore të spitalit “Shefqet Ndroqi”, tenderi i të cilit është zhvilluar në Austri, është parashikuar të realizohet brenda një periudhe prej 18 muajsh. Gjatë tre viteve të fundit, me një financim prej 300 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, ky spital i është nënshtruar një rikonstruksioni të thellë, i cili përfundon në muajin qershor. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u angazhua për fillimin sa më të shpejtë të projekteve për përmirësimin e pajisjeve në këtë spital.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›