E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmuren gjykatësit që do jepnin llogari në KLD

02/04/2005  Bushi dhe Mullai paraqesin raport pranë institucionit

TIRANË – Puna e Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2004 ka qenë në qendër të mbledhjes së djeshme të KLD-së. Ka më shumë se dy muaj që nga ana e ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa, u fol për kontrollin e ushtruar nga inspektorët në të gjitha gjykatat e vendit, përfshi edhe ato të Apelit. Për herë të parë, kontrolli i ushtruar në Apel, konstatoi mangësi të theksuara në përmbushjen e detyrës së gjyqtarit. Përveç faktit se puna e inspektorëve u cilësua e mirë, u prek edhe kontrolli tematik ushtruar nëpër gjykata të ndryshme. Puna e gjyqtarëve është kontrolluar në shumicën e rasteve pas depozitimit të ankesave nga ana e popullit. Fillimisht është bërë verifikimi i këtyre ankesave dhe në një pjesë të madhe të punës ka rezultuar se kanë qenë të sakta. Shumë gjyqtarë kanë dalë me shkleje në detyrë. Nuk janë respektuar afatet proceduriale dhe një pjesë e madhe kanë gabuar në dhënien e vendimeve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në analizën vjetore shqyrtoi edhe problemet, të cilat lidhen me vështirësitë që janë hasur në veprimtarinë e Inspektoriatit. Vështirësi janë hasur te rritja e transparencës në shqyrtimin e ankesave të qytetarëve, nevoja për normimin e punës nga ana e Inspektoriatit, domosdoshmëria e rregullimeve ligjore dhe nënligjore për përmirësimin dhe modernizimin e veprimtarisë së Inspektoriatit, respektimi i rregullave të etikës nga ana e inspektorëve, forcimin e garancive ligjore për inspektorët.

Raporti

Dalip Bushi dhe Fiqirete Mullai paraqesin raport në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Janë të dy gjyqtarë të Gjykatës së Apelit. Kontrolli i fundit i ushtruar në vitin 2004 në këtë gjykatë, ka konstatuar shkelje të rënda në punën e dy gjyqtarëve. Nuk kanë përmbushur detyrën e ngarkuar dhe kanë patur mangësi të theksuar në gjykimin e çështjeve penale. Për Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte hera e parë që ushtrohej kontroll në Apelin e Tiranës. Ishte krijuar ideja se këta gjyqtarë nuk mund t'i kontrollonte askush. Këtë herë "tabuja" është thyer. Inspektorët, përveçse kanë marrë urdhër për të ushtruar kontroll, kanë dhënë edhe konkluzionet e para. Dalip Bushi dhe Fiqirete Mullai në mbledhjen e djeshme do të jepnin llogari për punën njëvjeçare, madje do të duhej të shpjegonin gabimet në detyrë. Por dje, dy gjyqtarët i janë shmangur pyetjes, duke paraqitur raport mjekësor. Që të dy gjyqtarët sëmuren në të njëjtën kohë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ishte i detyruar të shtynte për një datë tjetër seancën e pyetjes së dy gjyqtarëve. Si për Bushin, ashtu edhe për Mullain, KLD-ja do të procedojë nga ana disiplinore. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, ka propozuar lirimin nga detyra të dy gjyqtarëve Bushi dhe Mullai, ndërsa për dy gjyqtarë të tjerë është kërkuar dhënia e vërejtjes me paralajmërim për pushim nga puna. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këtë mbledhje vendosi të shpallë një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës si dhe i propozoi Presidentit të Republikës emërimin e disa gjyqtarëve në gjykatat e Apelit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›