E Diel, 1 Nëntor 2026

Sollaku: Janë sekuestruar miliona dollarë të piramidave në Greqi

02/04/2005  Pritet miratimi i instrumentave ligjorë për kthimin e miliona dollarëve që “VEFA” e “CENAJ” fshehën në Greqi

Prokuroria shqiptare angazhohet që me anë të procedurave ligjore t’u kthejë shqiptarëve paratë e sekuestruara në bankat greke të dy firmave piramidale, “VEFA” dhe “CENAJ”. Janë miliona dollarë të bllokuara në bankat greke, që kanë qenë në llogari të ish-bosëve të piramidave shqiptare apo lidhjeve të tyre. Bëhet fjalë për një shumë të madhe që, sipas Prokurorisë, i kalon shifrat e publikuara rreth transfertave të parave jashtë shtetit, ku vetëm “VEFA” dyshohet se ka transportuar rreth 150 milionë dollarë. Autoritet e drejtësisë helene kanë kryer hetime dhe kanë bllokuar miliona dollarë të firmave piramidale shqiptare, por Prokuroria thotë se rikthimi i tyre për kreditorët do të kërkojë kohën e nevojshme për veprimet proceduriale dhe instrumentat ligjorë midis dy shteteve. Pritet miratimi i instrumentave ligjorë në Shqipëri dhe Greqi, për të bërë të mundur kthimin e miliona dollarëve të bllokuar në bankat e shtetit helen.

Takimi

Ka qenë takimi i djeshëm mes Kryeprokurorit shqiptar, Theodhori Sollaku dhe atij grek, Dimitrios Linos, ku është vendosur marrëveshja për nismën e procedurave ligjore për kthimin e këtyre parave kreditorëve të firmave piramidale “VEFA” dhe “CENAJ”. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se dje, delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme i kryesuar nga Sollaku, gjatë vizitës zyrtare në Greqi zhvilloi një takim pune me Prokurorin e Përgjithshëm të Greqisë, Dimitrios Linos.

Në njoftim theksohet se gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit reciprok midis institucioneve të dy prokurorive rreth luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Të dy palët shprehën gatishmërinë për të forcuar këtë bashkëpunim për çështje të veçanta nëpërmjet shkëmbimit të fakteve dhe provave me interes për të dy palët. Burimet e Prokurorisë thanë se në këtë takim u ra dakord që, përveç takimeve në nivel të lartë të ketë takime edhe në nivel të prokurorive të zonave kufitare të të dy vendeve. Kjo me qëllim heqjen e burokracive në shkëmbimin e informacionit, duke synuar rritjen e efikasitetit të drejtësisë penale në rajon.

Piramidat

Por qëllimi kryesor i këtij takimi pune mes Kryeprokurorit shqiptar, Sollaku dhe atij grek, Linos, ka qenë hetimi dypalësh për fajdet dhe për transferimet e parave të firmave piramidale. Burimet zyrtare të Prokurorisë thanë se gjatë takimit u diskutua edhe për problemin e firmave piramidale shqiptare. Burimet theksojnë se në veçanti është diskutuar për kthimin e parave që ndodhen në bankat greke si dhe për të gjetur rrugët ligjore për kthimin e tyre. Janë miliona dollarë të bllokuara në bankat greke të ish-bosëve të piramidave shqiptare “VEFA” dhe “CENAJ”, apo të lidhjeve të tyre, sqarojnë burimet. Autoritetet greke kanë zhvilluar procedime penale dhe kanë bllokuar miliona dollarë të firmave piramidale shqiptare dhe rikthimi i tyre për kreditorët shqiptarë kërkon jo vetëm veprime proceduriale, por, edhe instrumenta ligjorë midis dy shteteve. Burimet përfundojnë se të dy kryeprokurorët e shikojnë të nevojshëm miratimin e instrumentave ligjorë në të dy shtetet për të zgjidhur këtë situatë. Vetëm miratimi i këtyre instrumentave ligjorë do të bënte të mundur kthimin e parave të bllokuara të piramidave për kreditorët shqiptarë.

Ftesa

Burimet zyrtare të organit qendror të akuzës thanë se, Kryeprokurori Sollaku ftoi homologun e tij grek për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila u mirëprit nga Linos. Në fund të takimit, ata i janë përgjigjur interesit të mediave vendase dhe të huaja në një konferencë për shtyp.

“Të heqim dorë nga burokracitë e shkëmbimit të informacionit”

Gjatë takimit të djeshëm mes Kryeprokurorit shqiptar, Theodhori Sollaku dhe homologut të tij grek, Dimitrios Linos, vëmendja u përqëndrua edhe në diskutimet rreth bashkëpunimit dypalësh. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se në këtë takim u ra dakord që, përveç takimeve në nivel të lartë, të ketë takime edhe në nivel të prokurorive të zonave kufitare të të dy vendeve. Burimet saktësojnë se, kjo bisedë kishte si qëllim heqjen e burokracive në shkëmbimin e informacionit, duke synuar rritjen e efikasitetit të drejtësisë penale në rajon. Para disa ditësh, kryeprokurorët e Ballkanit u takuan në Shkup të Maqedonisë, ku firmosën një memorandum në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar në rajon.

Mediat Greke

Vavilis hetohet për keqpërdorim e pastrim të

parave të pista të shoqërive huamarrëse shqiptare

Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, gjatë një takimi zyrtar të zhvilluar dje në kryeqytetin helen në Athinë, me homologun e tij Dimitris Lino, ka kërkuar që të hetohet për akuza konkrete ndaj të shumëkërkuarit Apostolis Vavilis. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat greke, të cilat citonin se informacionin e kishin marrë prej burimeve zyrtare. Mediat helene pohonin se kërkesa kryesore e Sollakut gjatë takimit me Linos, ishte gjetja e rrugës së duhur dhe efektive për kthimin e ligjshëm të valutës që ndodhet në bankat greke. Sipas mediave greke, Sollaku ka deklaruar se autoritetet e drejtësisë shqiptare kanë të dhëna të vlefshme për një implikim direkt të Apostols Vavilis, në përfitimin e një shume prej 200 mijë dollarësh, me shkak kërkesën për sisteme sigurie për qeverinë shqiptare. Ndërkaq, mësohet se gjatë takimit, ku mediat greke bëjnë të ditur se kanë marrë pjesë edhe hetues e prokurorë grekë, që kanë në dorë dosjen hetimore ndaj Apostolis Vavilis, u diskutua edhe për ngritjen e akuzave që kanë të bëjnë me dyshimet për afera abuzive financiare në Shqipëri. Nga bisedimet dyorëshe është rënë në ujdi që ndaj Vavilisit të hetohet për veprat penale të “keqpërdorimit dhe pastrimit të parave të pista të shoqërive huamarrëse shqiptare”.

Apostolis Vavilis, loja nisi në Volos

Gazeta greke "Apogevmatini", afro katër javë më parë ka zbuluar një bashkëpunim të fshehtë, nënshkruar mes ish-bosit të kompanisë shqiptare, Vehbi Alimuçaj dhe një "prifti" grek, të quajtur Apostolis Vavilis, që, në fakt është agjent i shërbimeve sekrete.

Sipas medias, "kleriku" mashtrues, spiuni, ka hyrë në bisedime me Alimuçajn në Volos, ku gjithnjë sipas medias, dhe bosi shqiptar ka pasur një shtëpi. Në '95-ën, pas negociatash të shumta, sipas shtypit, është arritur të bindet VEFA, të porosisë pajisje sigurie, por nuk është përcaktuar lloji i tyre. Vavilis, biznesmen këtë herë, ka kryer punë të paqme me Alimuçajn. Shërbimet ia kanë dalë të hyjnë në lojën e madhe. Sipas marrëveshjes, i fshehti prift grek përfitonte të paktën 800 mijë dollarë nga kjo mesele biznesi. Madje, shkruhet se ai ka mundur të udhëtojë në Shqipëri nën një emër të rremë, Apostolos Kavelaras, tashmë si biznesmen. Nuk është tjetër vetëm se një njeri gjoja i fesë, i implikuar në skandale të trafikut të drogës, skandale seksuale, duke përfunduar në person në kërkim nga drejtësia e Athinës. Gjithnjë duke iu referuar medias greke, ustai athiniot ka mundur të hedhë biznese të tija dhe në Shqipëri, për të cilat ai nuk ishte vetëm se prurës i punës së fshehtë. Ai ka qenë dhe është bërë lojë e shërbimeve sekrete, por ka mundur të shpëtojë dhe të mos bjerë në pranga. Një mik i ngushtë i patriarkut të Jeruzalemit, tek i cili ka gjetur përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme, shkruan për të gazeta.

Reagimi i ministrit Malaj

Ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ndaj lakimit të emrit të tij, si i implikuar në transferta parash drejt Greqisë. Malaj, nëpërmjet zëdhënësit ka pohaur se, "sulmet ndaj tij, të cilat në mënyrë direkte ose indirekte i janë drejtuar ministrit të Financave, Arben Malaj, janë pjesë e një fushate dhe presioni, e nisur që në vitin 1997. Është evident fakti që, shpërbërja e skemave piramidale ka prekur shumë interesa, përfshirë dhe ato kriminale. Një pjesë e burimeve të këtyre skemave janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për qëllime kriminale. Në vazhdimësi, këto para janë vënë në shërbim të fushatave denigruese kundër personave dhe institucioneve, që janë angazhuar dhe kanë marrë përgjegjësinë për të mbyllur skemat piramidale".

Deputeti Goxhi pranon bërjen e transfertave

Ndërsa, Kristo Goxhi ka pranuar se ka qenë pjesë e një transferte parash, por gjithçka është bërë sipas ligjit. Goxhi ka deklaruar se lëvizjet e parave janë bërë konform ligjeve. "Të gjithë kemi lënë kush më shumë e kush më pak para në firmat piramidale. Unë e pohoj se kam bërë një transfertë të parave të firmës ‘Cenaj’. Transferta ishte juridike dhe paratë ishin të firmës ‘Cenaj’. Me këtë është njohur dhe drejtësia shqiptare”.

Kush ishin asetet e kompanisë të sekuestruara e shpërdoruara më pas

Prokurorë, gjyqtarë, deputetë në listat e fajdeve

"Vefa", sipas ish-bosit të saj ka pasur vetëm objekte, njësi dhe ndërmarrje 240. Janë 1.3 milionë metër katror tokë në bregdet dhe në Tiranë, pronë e Alimuçës me tapi e regjistruar konform ligjit. Ish-bosi gjithashtu ka deklaruar se janë 27 pika turistike në bregdet dhe në vende malore. Ka pasur kombinate të përpunimit ushqimor, të përpunimit të drurit. Nuk dihet se ku kanë përfunduar 40 mijë krerë dele. Kompania zotëronte 78 për qind të komplekseve të rritjes së derrave, viçave, gjelit të detit. Të paktën 450 makina, autovetura që janë shitur me 20 deri në 30 mijë lekë. Dikush nuk deshi e pengoi dhe kredinë 200 milionë dollarëshe, që do të vinte për të shlyer detyrimet e kompanisë në mënyrë të përshpejtuar.

Pohimi

“Mua nuk duhej të më kishin hetuar, gjykuar, e më pas dënuar prokurorë, hetues e gjyqtarë shqiptarë. Kështu ka deklaruar Alimuçaj dy vjet më parë nga qelitë e burgut, madje, duke sjellë argumenta. Sipas tij, ka shumë persona të lidhur që kanë pasur marrëdhënie me “Vefa”-n. Emrat e tyre, shumica janë bërë të ditur, sipas ish-presidentit të kompanisë. Një pjesë e dokumenteve janë zhdukur, por ka dhe të tjera që do të bëhen publike në çastin e duhur, ka saktësuar ish-bosi i kompanisë. Janë këta zyrtarë e pushtetarë që burgosën pronarin dhe morën objektet e kompanisë, ka pohuar Vehbi Alimuçaj.

Kush ishte VEFA

“Vefa” filloi huamarrjen në vitin 1992 deri në ‘97

Kreditorë 70 mijë

Nuk kanë marrë asgjë 13 mijë kreditorë

Dëme “Vefa”-s i janë shkaktuar në ‘97-ën afro 302 milionë dollarë

Borxhi i firmës ishte llogaritur 120 milionë dollarë

I janë grabitur “VEFA”-s afro 130 milionë dollarë

Kredia që do vinte nga Amerika ishte 200 milionë dollarë

“VEFA” ka pasur 20 filiale të qarkullimit monetar në:

Francë, Gjermani, Itali, Bullgari, Çeki, Kinë, Japoni, Rusi, Britani, Maqedoni, Izrael etj.

Kapital i kompanisë 570 milionë dollarë

Asete pas dorëzimit 240

Tokë 1.3 milionë metër katrorë

Pasuri jashtë vendit 20 milionë dollarë

Grumbulluar nga Mbikëqyrësit 9 milionë dollarë

FMN-ja do të jepte 600 milionë dollarë kredi për mbylljen e skemave piramidale

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›