E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëhelmohet me fostoksinë nëna e dy fëmijëve

02/04/2005  Para disa ditësh, bashkëshorti kishte kërkuar divorcin dhe ishte larguar në Greqi

Gjendet e vetëhelmuar në banesën e saj në Linzë të Tiranës, nëna e dy fëmijëve. Tri ditë pasi ajo është vetëhelmuar, trupi i pajetë është gjetur nga policia, që është sinjalizuar nga banorë të lagjes. Nga hetimet paraprake rezulton se e vetëflijuara ka konsumuar disa kokrra fostoksinë në një gjendje të rënduar psikike. Dyshohet që shkak të ketë qenë ndarja nga bashkëshorti i saj, që prej disa kohësh është larguar jashtë shtetit.

Ngjarja

Policia e kryeqytetit ka gjetur dje të vdekur në banesën e saj në Linzë të Tiranës, 29-vjeçaren Jolanda Jaku. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se nga hetimet paraprake rezulton që 29-vjeçarja të jetë vetëhelmuar. Burimet theksojnë se nga ekspertiza e mjeko-ligjorëve është konkluduar se, nëna e dy fëmijëve është vetëhelmuar me fostoksinë. Në cilësinë e provës materiale policia ka gjetur dhe sekuestruar disa kokrra fostoksinë. Kanë qenë fqinjët e viktimës që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë konstatuar vdekjen e 29-vjeçares Jaku. Kjo, pasi e ndjera prej afro tri ditësh nuk ishte parë të hynte apo të dilte nga shtëpia nga asnjë prej banorëve të zonës. Burimet sqarojnë se e vetëhelmuara dyshohet ta ketë kryer aktin rreth tri ditë më parë, pasi edhe trupi kishte filluar të dekompozohej.

Shkaku

Sipas burimeve policore, mësohet se shkaku që e ka shtyrë 29-vjeçaren Jaku drejt vetëhelmimit, ka qenë divorci. Burimet policore që u referohen edhe miqve dhe të njohurve të viktimës, thonë se 29-vjeçarja ishte ndarë nga bashkëshorti i saj prej disa kohësh. Burimet thonë se ka qenë burri i saj ai që e ka braktisur dhe është larguar jashtë shtetit, në Greqi. E ndodhur në këtë situatë duket se 29-vjeçarja Jaku ka kaluar në gjendje të rëndë depresioni. Dhe tri ditë më parë ajo ka vendosur t’i japë fund jetës, duke pirë disa kokrra fostoksinë. Burimet thonë se gjithçka dyshohet të jetë kryer në një gjendje të rënduar psikike dhe në një moment ku nuk ka pasur asnjë person që të parandalonte tragjedinë e 29-vjeçares.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›