Pronat, Vatnikaj "refuzon" gjykatën
Trazhgim Sokolaj
Ish-kryetari i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pro-nave Tunxh Vatnikaj "refuzon" paraqitjen në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij me akuzën "shpërdorim detyre". Zyrtari më i lartë i AKKKP-së tashmë i larguar nga detyra me vendim qeverie, mungoi dje në seancën e caktuar për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për masën "detyrim paraqitje". Gjykata e kryeqytetit kishte caktuar dje seancën për të shqyrtuar kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës ndaluese ndaj ish-zyrtarit të pronave, pas zbulimit se ai është implikuar në skandalin e tjetërsimit të pronësisë së 48 hektarëve tokë në zonën e Plazhit të Gjeneralit. Burime zyrtare nga Gjykata dhe Prokuroria, konfirmuan mosparaqitjen e Tunxh Vatnikajt, i cili më parë në profesionin e tij ka qenë edhe vetë gjyqtar. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se i pandehuri për shpërdorim detyre, nuk ka shkuar në gjykatë duke dështuar seancën e djeshme, për shkak se nuk ishte lajmëruar për zhvillimin e saj. Burimet zyrtare sqaruan më tej se Vatnikaj nuk ka marrë njoftimin për seancën edhe pse një thirrje e tillë është dërguar nga gjykata, siç duket në momentet e fundit.
Akuza ish-zyrtarit
Tunxh Vatnikaj i shkarkuar nga detyra e kreut të Agjencisë së Pronave pak javë më parë, është marrë i pandehur nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës për akuzën shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje penale e cila lidhet me skandalin e Plazhit të Gjeneralit, janë marrë të pandehur edhe shtatë persona të tjerë mes të cilëve avokatë, zyrtarë të Hipotekës dhe biznesmenë të njohur. Skenari i abuzimit është i njëjtë me të gjithë rastet e ngjashme në Shqipërinë e viteve të tranzicionit porse rasti i Gjirit të Gjeneralit, bën dallim nga të tjerat për sasinë e madhe të tokës me të cilën është bërë Pazar. Bëhet fjalë për 48 hektarë sipërfaqe toke me vlerë tregu 24 milionë euro, e cila me dokumente false, është hedhur në emër të pronarëve fiktivë. Skandali është mbuluar sikur të ishte një procedurë e thjeshtë "kthim prone" për shkak se pronarët fantazmë, që përfituan plazhin falsifikuan dokumentet e vjetra të pronësisë së ish-pronarëve të familjes Shijaku, të cilës i takonte kthimi i pronës në zonën e Malit të Robit.
Pronarët fantazmë
Duke përdorur disa topografë që falsifikuan plan-vendosjen e tokës që do të kthehej, të implikuarit e zhvendosën truallin në zonën e Plazhit të Gjeneralit, Komuna Synej e Kavajës. Nën akuzë për këtë çështje janë vendosur edhe avokati Gjergji Hyso, zyrtari i Agjencisë së Pronave të Kavajës Ali Aliaj, Petrit Kullolli, i Zyrës Rajonale të Pronave në Tiranë dhe shefi i Hipotekës së Kavajës. Ata akuzohen se kanë realizuar procedurën e kthimit të pronës dhe kanë nisur regjistrimin e saj, mbi dokumente tërësisht të falsifikuara. Shumë kohë pas aplikimit fals në emër të saj, familja Shijaku mohoi të kishte bërë kërkesë në AKKKP për kthim prone. E gjithë procedura pas të cilës fshihet një biznesmen i njohur në Shqipëri, mësohet se është realizuar në periudhën qershor-shtator 2008 kohë brenda të cilës është aplikuar me dokumente false dhe Agjencia e Pronave me firmën e Tunxh Vatnikajt ka miratuar "kthimin e pronës". Ekspertimi i dokumenteve mbi të cilat është marrë vendimi i Agjencisë ka zbuluar se ato kanë qenë false, ndërsa në dijeni për këtë kanë qenë të gjithë zyrtarët e implikuar.
Masa e arrestit, javën tjetër vendimi për "detyrim paraqitje"
TIRANE - Prokuroria e Tiranës pas akuzës së ngritur ndaj Tunxh Vatnikajt ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë "detyrim paraqitje". Një masë e tillë duhet të miratohet nga gjykata dhe më pas të zbatohet nga zyrtari i pandehur për akuzën "shpërdorim detyre". Tunxh Vatnikaj është akuzuar nga prokuroria për vendimin e Agjencisë, që solli tjetërsimin e pronësisë së 48 hektarëve tokë në zonën e Plazhit të Gjeneralit. Ndërkohë vetë ish-kreu i Agjencisë gjatë deklarimeve të dhëna në Prokurorinë e Tiranës, ka mohuar dijeninë e tij mbi vendimin në fjalë dhe më pas, është deklaruar i pafajshëm. Megjithatë, prokuroria konfirmoi se ka përgjime të cilat tregojnë se Vatnikaj ka nxitur vartësit e tij për të kaluar praktikën e aplikimit të falsifikuar nga pronarët fantazmë që kishin për qëllim përfitimin abuziv të tokës në zonën e "Plazhit të Gjeneralit". Sipas akuzës Vatnikaj mësohet se ka qenë në dijeni të faktit se dokumentet ishin false dhe se aplikimi në të vërtetë nuk ishte bërë nga familja Shijaku, të cilës i takonte prona, por nga persona të tjerë të interesuar për përfitime. t.s