E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, shpjegime për raportet me CIA-n dhe qeverinë amerikane

Nga Eli Lake, “Washington Times”

Kryeministri shqiptar do që CIA dhe qeveria amerikane ta dinë se ai është i lumtur që po bën çka mundet që t’i ndihmojë ato në luftën kundër terrorizmit. “Ne kemi pasur dhe kemi akoma një bashkëpunim të ngushtë me CIA, dhe ne do vazhdojnë ta kemi këtë bashkëpunim”, - tha Sali Berisha në një intervistë javën e kaluar.

Ai megjithatë ishte i vendosur se vendi i tij nuk kishte pasur asnjëherë burgje sekrete të CIA-s të njohura dhe si “zonat e zeza”, dhe se nuk u kishte kërkuar asnjëherë forcave të tij të sigurisë të asistonin në tortura.

Zoti Berisha nuk ishte i qartë në çështjen e interpretimit, kur operativët amerikanë rrëmbenin terroristë të dyshuar nga vendet të huaja dhe i sillnin në burgje të huaja ose amerikane pa respektuar procedurat formale të ekstradimit. Ai tha se kishte lejuar fluturimet e CIA-s në vendin e tij, por më vonë tha se CIA nuk kishte kërkuar leje.

Më vonë ai shtoi se nuk e mbante mend se cilat fluturime të CIA-s kishte lejuar në Shqipëri që kur është bërë kryeministër në korrik 2005 dhe gjatë kohës kur ishte president, nga viti 1992 deri në vitin 1997.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, që nga fillimi”, - tha ai. “Bashkëpunimi i Shqipërisë me CIA-n në luftën kundër terrorit është një nga më të frytshmit”, - shtoi ai.

Komentet e zotit Berisha vijnë në një kohë kur grupe të të drejtave të njeriut nga vendi i tij po e akuzojnë qeverinë për të treguar se deri në çfarë shkalle ishte shtrirë bashkëpunimi i saj në operacionet e CIA-s. Një grup i quajtur Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve në Shqipëri ka ngritur një padi civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes gjatë fundjavës së kaluar, duke akuzuar se një terrorist i dyshuar, Khaled el-Masri, është marrë nga aeroporti ushtarak i Kuçovës për në Afganistan, ku ai thotë se është torturuar.

Ambasadori shqiptar në Uashington nuk pranoi të komentojë në lidhje me këtë çështje, kur u pyet të mërkurën.

Shqipëria, një satelite e Kinës maoiste gjatë Luftës së Ftohtë dhe një komb me shumicë myslimane, mendohet se është një nga vendet, me të cilat qeveria amerikane bashkëpunoi në vitet e para të programit të presidentit Klinton për dëbimin kundër al Qaeda-s.

Raporti i Human Rights Watch “Vrima e zezë”, që ekzaminon këto dëbime gjatë presidencës së Bill Klinton dhe George W. Bush, thotë:

“Në vitin 1998, qeveria amerikanë reagoi kundër një grupi militantësh të supozuar që jetonin në Tiranë, Shqipëri. Policia sekrete shqiptare, në bashkëpunim me CIA-n, monitoroi grupin për disa vite dhe vëzhgoi anëtarët gjatë kryerjes së aktiviteteve kriminale të nivelit të ulët, si falsifikime të pasaportave dhe vizave.”

Anëtarët e kësaj celule në kryeqytetin shqiptar u dërguan në një burg të sigurisë speciale në Egjipt, ku të dyshuarit u torturuan, tha një jurist egjiptian për katër persona, gjatë një interviste muajin e kaluar për “The Washington Times”.

“Historikisht Shqipëria ka bashkëpunuar me CIA-n për të lejuar që të dyshuarit të rrëmbehen nga toka shqiptare dhe të dërgohen në Egjipt, ku dhe janë torturuar”, tha Joanne Mariner, drejtoresha e Kundërterrorit në Human Rights Watch, gjatë një interviste.

Zoti Berisha tha se agjencia: “kurrë nuk kishte kërkuar të kryente operacione ilegale.”

Ai thotë se i konsideronte fluturimet e CIA-s si kërkesa legale nga një organizatë legale.

Zoti Berisha, një mysliman, ishte në Uashington javën e shkuar për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve. Ndërsa ishte në qytet, ai u takua me Sekretaren e Shtetit, Hillary Rodham Clinton dhe zv/presidentin, Joseph R. Biden Jr., për të diskutuar në lidhje me ofertën ndaj vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO.

Berisha thotë se ai u sigurua nga të dy bashkëfolësit se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Shqipërinë për anëtarësimin në paktin transatlantik.

“Sekretarja Klinton më tha se jemi të impresionuar nga reformat në Shqipëri, dhe mendoj se anëtarësimi në NATO është bërë një forcë e vërtetë lëvizëse përpara, jo vetëm për mua, po për të gjithë kombin tim”, - tha zoti Berisha.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, që kërkoi të mbetej anonim, konfirmoi qëndrimet e zonjës Klinton. “Qeveria dhe populli shqiptar duhet të lavdërohen për punën e madhe që kanë bërë për të plotësuar standardet e larta të NATO-s”, - tha zyrtari.

“Sekretarja Klinton ia shprehu këto kryeministrit, si dhe pritshmëritë e saj se qeveria shqiptare do të vazhdonte të plotësonte detyrimet e saj për sa i përket reformave.”

Zoti Berisha tha gjithashtu se zoti Biden dhe zonja Klinton i premtuan se zoti Obama do të vizitojë Shqipërinë, edhe pse ai nuk tha se kur. As Departamenti i Shtetit dhe as Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmuan vizitën.

Zoti Berisha e quajti fitoren e Obamës “një arritje të madhe të njerëzimit.”

“Presidenti Obama në disa aspekte është presidenti i të gjitha kombeve, të gjitha feve dhe racave, që gjejnë veten tek ai. Kjo është e vërtetë.

Berisha kishte rezervuar dhe disa fjalë të mira për presidentin Bush, i cili në vitin 2007 u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitonte vendin. Ai tha se kishte vizituar Irakun në vitin 2005 pas raundit të dytë të zgjedhjeve kombëtare dhe kishte parë njerëz që ishin të lumtur pse kishin të drejtën e votës.

“Nuk më vjen kurrë keq për diktatorët që rrëzohen”, - tha zoti Berisha. “Jam i sigurt se bota është më e mirë pa Sllobodan Millosheviçin, pa Sadam Hyseinin. Nuk është e lehtë, vazhdon të jetë e vështirë, por ne kemi një botë më të mirë.”

Zoti Berisha gjatë intervistës ishte më i interesuar që të fliste për angazhimin e tij për ekonominë e tregut dhe tregun e lirë. Ai theksoi se kishte ulur taksat për biznesin e vogël në 1.5 për qind dhe kishte ulur taksat për të ardhurat personale në 10 për qind, duke e bërë Shqipërinë vendin me klimën më dashamirëse të biznesit në Evropë. Ai shtoi se kishte përmirësuar çështjen e licencave për të ndihmuar në zhdukjen e korrupsionit.

* Erin Spiegel dhe Nicholas Kralev kontribuan për këtë raport

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›