Berisha: Haradinaj, komandat legjendar që shpëtoi jetë njerëzish
Qeveria dje u prononcua edhe në lidhje me çështjen e thirrjes për rigjykim në Hagë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryeministri Berisha, në një konferencë për shtyp, e konsideroi Haradinajn si një nga komandantët legjendarë të luftës çlirimtare të Kosovës. “Zoti Ramush Haradinaj gjatë luftës së Kosovës, me guximin, trimërinë e tij, ka shpëtuar jetët e qindra dhe mijëra grave, fëmijëve, burrave, të moshuarve, qytetarë të Kosovës, të cilët pa ndihmën e tij do të kishin qenë pre’ e praktikave barbare ekstremiste të falangave serbe”, theksoi Berisha. Sipas tij, Haradinaj kishte kryer një akt burrnor dhe qytetar, duke iu bindur edhe kësaj radhe thirrjes së Hagës. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme, në një deklaratë për shtyp thekson se u njoh dje me vendimin e Dhomës së Apelit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi për rigjykim të pjesshëm të z. Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij. Në njoftimin për median, theksoi se edhe kësaj radhe ish-kryeministri i Kosovës do dinte ta tregonte pafajësinë e tij për krimet e luftës që akuzohej. “Ministria e Punëve të Jashtme beson se z. Haradinaj, një nga ish-komandantët kryesorë të UçK-së, dhe ish-kryeministër i Kosovës, siç u ballafaqua me dinjitet më parë, do të dijë ta argumentojë dhe mbrojë pafajësinë e tij edhe këtë radhë”, theksohej në njoftim. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme bënte gjithashtu të ditur se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu si dhe më parë, do të tregojnë maturi dhe qetësi, duke i përballuar me dinjitet këto momente të rëndësishme që po kalon Kosova.
#