E Diel, 1 Nëntor 2026

Senati francez miraton ligjin e emigracionit

Dhoma e lartë e parlamentit francez ka miratuar një ligj që vendos kufizime të ashpra ndaj imigrantëve, disa javë pas aprovimit të tij në dhomën e ulët. Votimi në Senatin francez afron zbatimin e reformave të thella të kërkuara nga ministri i brendshëm, Nikolas Sarkozy. Ligji lejon qeverinë të favorizojë imigrantët e arsimuar përballë atyre pa profesione. Zoti Sarkozy thotë se Franca duhet ta ketë imigracionin nën kontroll dhe jo të jetë një pranues pasiv. Ishte gjatë trazirave të nëntorit të kaluar në periferitë e varfëra të qyteteve kryesore franceze kur zoti Sarkozy propozoi ligjin e debatueshëm të migracionit. Ndërsa në të gjithë vendin, veçanërisht në rajonet me komunitete të mëdha imigrante, pati një valë dhune, ai argumentoi se sistemi francez i imigracionit dhe integrimit kishte dështuar. Ligji i ri e bën më të vështirë për imigrantët pa profesione që të vijnë në Francë, heq të drejtën e imigrantëve ilegalë që të mbeten në vend pas dhjetë vjet banimi atje, dhe forcon rregullat për bashkimet familjare. Në vend të tyre ligji përqëndrohet në imigrimin përzgjedhës duke u dhënë leje banimi punonjësve me kualifikime të larta. Opozita socialiste thotë se ligji është racist dhe pjesë e fushatës së zotit Sarkozy për të tërhequr pas vetes të djathtën ekstreme në zgjedhjet presidenciale. Ligji bën thirrje gjithashtu për heqjen e lejes së banimit nëse mbajtësi i saj dënohet për trazira apo akte mosrespekti ndaj simboleve kombëtare franceze.(BBC/START)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›