E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bijtë e Qenve dhe Bijtë e Shqiptarëve!

Biri i bushtrës, qeni, doli një ditë nga kolibja dhe takoi birin e një bushtre, qenin tjetër. Të dy u përshëndetën me nga një të lehur dhe u nisën për një xhiro në qendër të kryeqytetit.

Ndaluan te parku i parlamentit. Të dy, sapo panë madhështinë e asaj ndërtese, veturat luksoze parkuar më poshtë, u mrekulluan. Gjithë ata njerëz të veshur e të krekosur që iknin e vinin, hynin e dilnin! Gjithë ai shkëlqim, i trullosi keq bijtë e bushtrave.

Qeni i parë iu turr me të katra njërit prej “kalimtarëve” të stolisur me veshje pushtetari dhe i tha: “Hej, ti bir bushtre (se qeni i di të gjithë bij bushtrash, si vetja), dua të ngjaj edhe unë kështu si ti! Çfarë duhet të bëj?” Njeriu i bërtiti qenit në gjuhën e vet: “Ik ore, bir bushtre, m’u hiq nga sytë!” Dhe i jep një të goditur me shkelm.

Kjo ngjarje është e zakonshme në këtë vend, ku diferenca midis qenve e njerëzve qëndron vetëm te sasia e këmbëve.

Qentë e rrugëve nëpër Shqipëri me siguri ëndërrojnë të jenë Deputetë, Artistë, Filozofë, VIP, Biznesmenë! Jeta e lirë në komunitetin e kësaj Ajke elitare që këta qen ndeshin rëndom rrugëve u thur ëndrra në beze e ua merr mendjen të gjorëve.

E ku rrohet më mirë sesa në kryeqytet! Kanë gjithmonë me ç’të ushqehen. Plehrat e qytetarëve hapërdahen të lira nëpër Tiranë, në ndihmë të qenve të rrugës. Kanë akses të plotë të hyjnë në çdo lagje. Në çdo vend. T’i lehin kujtdo! Të prekin këdo! Kanë konkurse bukurie. Spektakle muzikore. Videoklipe. Makina luksoze, nën të cilat strehohen rëndom.

Por ajo që e bën edhe më të trishtueshme Tiranën, është se shpeshherë sheh se si qytetarët ndihen qen. Si qentë e rrugëve që mund t’i shkelmojë çdokush. Si qentë e rrugëve të kryeqytetit, që mund të lehin kudo, kurdo, si t’ua thotë mendja. Si qentë ndihen edhe qytetarët. Strehohen pa teklif nëpër pronat e të tjerëve. Befas ngelin të pastrehë. Nuk kanë më ç’të hanë. Të poshtëruar prej pushtetarëve. Prej njerëzve të shkëlqyeshëm. Prej Idhujve të Bijve të Bushtrave shumë qytetarë ndihen të Braktisur!

Tirana është një Kryeqytet, ku të ndodh brenda një dite të vetme të shohësh 4 trupa qensh të ndryshëm, të shkelur nga makina të ndryshme, e të braktisur me zorrë përjashta në 4 rrugë të ndryshme.

Tirana është një vend që ka disa spitale, ku nuk mund të përballohet dot asnjë e pickuar grenxe, e jo më një “murtajë” qensh.

Banorët qentë e rrugës i kanë si njerëzit e shtëpisë. Aq familjarë, tashmë!

Tirana është një kryeqytet, ku të ndodh të shohësh fëmijë të mitur nëpër rrugë, të pashoqëruar nga asnjë i rritur, të bëjnë biznes. Të ekspozuar ndaj çdo lloj aksidenti të mundshëm. Ndaj çdo lloj ligësie të mundshme. Ndaj çdo lloj abuzimi të mundshëm. Ndaj çdo lloj modeli negativ për një fëmijë ende të parritur! Sepse në Tiranë të gjitha janë të mundshme.

Sheh fëmijë që rrinë në qendër e të cilët, pasi përpiqen me mish e me shpirt të të ndihmojnë me parkimin, të afrohen te xhami i makinës e të luten me fjalor lypësi t’u blesh një pako çamçakiz të skaduar!

“Aman, se sot s’kam bërë asnjë lek!”

Del nëpër kafenera luksoze, e në mes të muhabetit e të parfumit të shtrenjtë, ia beh ndonjë fëmijëzë e bukur e vogël dhe krejt e pafaj që të lut me sy të përlotur t’i blesh 5 kaushë me nga 5 bajame 1000 lekë (të vjetra). Me sloganin e përvuajtur që nis me

“Aman” e përfundon me “Lek”!

Netëve, ditëve, rrugët janë plot me burrat e së ardhmes. Ata që do të drejtojnë biznesin e Shqipërisë nesër, sot janë fëmijë të harruar, teksa shesin cigare.

Në Tiranë, të ndodh të ndeshesh me këtë realitet çdo çast.

Lypësit, mbretër të semaforëve. Ndërsa udhëtarët e pikave kyçe të qarkullimit kryeqytetas, krejt të pambrojtur përpara përgjërimeve kërcënake të “parazitëve” për ndonjë kacidhe nëpër kryqëzime.

Fëmijë të sjellë në jetë për të lypur, që të zhgarraviten nëpër makinë me një puthje mbi buzë për “tani” e një pështymë të bërë gati për “pastaj”.

Disa prej nënave që lypin me fëmijët gati burra, i mbaj mend nëpër kryeqytet, që kur kanë qenë vajza të vogla që me lajka e përkëdhelira rrugaçe fitonin ndonjë qindarkë. Dhe ndihem keq, teksa i shoh të mbetura peng të një jete pa rrugëdalje gjithë këto vjet! Dhe fajin nuk e ka njeriu që lind!

Dikur, intelektualët e vërtetë, njerëzit largpamës, fisnikë e të drejtë i asgjësoi sistemi komunist.

Sot, në ditët tona, llumi që ka zënë llumin, ka përpirë themelet e qytetërimit dhe i ka ulur njerëzit në nivele moçalore!

Bijtë e bushtrave shohin punën e vet. Ashtu si të gjithë banorët e tjerë në këtë vend të shkretë!

Shteti diçka do bëjë për këta fëmijë! Do t’ua shkulë rrugëve e do t’ua ngjeshë Popullit!

Po prindërit e tyre, ç’do t’i bëjë, pasi t’ua shkulë fëmijët e bashkë me fëmijët edhe shansin për të ngrënë ndonjë çapë bukë, meqë fëmijët janë krahu i punës për shumë mjeranë?!

Do t’i harrojë rrugëve të Kryeqytetit bashkë me qentë. Derisa të vijë momenti, kur brenda një dite të vetme, përveçse të shohim disa qen të shkelur mizorisht nga automjetet nëpër disa rrugë, të numërojmë edhe disa kufoma lypësish e endacakësh vdekur prej urisë e dëshpërimit. Dhe të gjitha këto viktima, vetëm në një ditë të vetme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›