E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatori Marty kokë më kokë me Alibeajn, sot takim me Ramën e Nishanin


TIRANË- I dërguari i Këshillit të Evropës, senatori zvicerian Dik Marti (Dick Marty) mbërriti dje në Tiranë për misionin fakt mbledhës mbi bazën e pretendimeve të ngritura nga Beogradi, sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë luftës 1998-'99 ka rrëmbyer rreth 300 pjesëtarë të komunitetit serb dhe më pas ia kanë trafikuar organet e tyre. Për të kryer transplantet, sipas pretendimit serb, është përdorur një shtëpi në fshatin Gurrë të rrethit të Matit.


Qëllimi i takimit mësohet se ka qenë njohja e Martit, mbi mundësinë e kryerjes së veprimeve hetimore në Shqipëri. Pasditen e djeshme, senatori Marti pas takimeve të paradites në Beograd mbërriti në Tiranë, duke zhvilluar një takim kokë më kokë me Ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.


Biseda mes tyre ka qenë e karakterit informues me legjislacionin shqiptar, ku senatori Marti, i ngarkuar nga Këshilli i Europës (KE) ka kërkuar të informohet për legjislacion shqiptar mbi hetimin e çështjes konkrete nga një grup hetuesish ndërkombëtarë.


Vizita në Tiranë vinte pas takimit të paradites së djeshme në Beograd, ku senatori ka takuar prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili mësohet se e ka vënë në dijeni senatorin mbi refuzimin e palës shqiptare të ekipit serb për hetimin e çështjes në Shqipëri.


Zyrtarët e dikasterit të Drejtësisë nuk dhanë detaje apo shpjegime mbi takimin një orësh mes ministrit Alibeaj dhe senatorit Marty, duke cilësuar takimin konfidencial dhe të rezervuar për media.


Ndërkohë, burimet e rezervuara janë shprehur se Ministri Alibeaj përveç se ka shprehur mendimin e tij mbi këto akuza të pabaza, ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike pretendimet serbe se në Shqipëri ushtarët e UÇK-së kanë kryer trafik organesh.


Në vazhdim të takimit, mësohet se Alibeaj i ka bërë me dije senatorit zviceran se legjislacioni proceduaral shqiptar nuk lejon që hetues të huaj të punojnë për dosje konkrete në Shqipëri.


"Vetëm nëpërmjet letër-porosive të dërguara nga shtetet e ndryshme të cilët kërkojnë mbledhjen apo hetimin e një çështjeje të caktuar, prokuroria shqiptare vihet në lëvizje duke kryer të gjitha procedurat ligjore të një hetimi të plotë dhe ligjor. Në asnjë rast, shtetasit apo hetues të huaj nuk kanë të drejtë të kryejnë veprime procedurale apo hetimore në territorin shqiptar",-mësohet t'i ketë thënë ministri Alibeaj senatorit Marti.


Kjo vizitë e Martit, vjen gati një vit pas asaj të prokurorit serb Vukçeviç. Në muajin tetor të vitit të kaluar mbërriti në Shqipëri prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, që kërkoi në atë kohë nga kryeprokurorja Ina Rama leje për kryerjen e hetimeve bashkë me stafin e tij në fshatin Rribë të rrethit Matit.


Në këtë fshat, në librin e kryeprokurores së Hagës, Del Ponte pretendohet se forcat e UÇK-së kanë kryer operacione të transplantimit të organeve, ndaj serbëve të kapur robër në Kosovë gjatë viteve 1998-'99. Kjo kërkesë u refuzua nga kryeprokurorja Rama duke u bazuar në legjislacionin shqiptar.


Gjatë atij takimi një orësh me prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Ina Rama i ka vënë atij në dispozicion hetimin e kryer në vitin 2005, hetim ky që nuk zbuloi asnjë gjurmë të vrasjeve të 300 serbëve e aq më pak të transplantit të organeve të tyre në një zonë të humbur dhe të pazhvilluar siç është komuna Gurrë e Burrelit.


Prokuroria shqiptare dhe Haga nuk gjetën fakte


Një proces hetimi mbi këtë çështje është kryer nga autoritetet shqiptare nga pala shqiptare së bashku me hetuesit e ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit, në disa ambiente në zonën e Burrelit.


Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që pretendonin se ekzistonin nga pala serbe se në Burrel ishte kryer transplant organesh nuk rezultuan të vërteta.


Në librin e saj "Gjuetia"; Kriminelet e luftës dhe unë", Del Ponte shkruan se "rreth 100 deri 300 serbë, shumica civilë, u transportuan me kamion nga Kosova drejt qytetit shqiptar të Burrelit.


Sipas saj, në këtë zonë të humbur të Shqipërisë, UÇK-ja i vrau serbët dhe doktorët shqiptarë i morën organet e tyre për t'i shitur",-nënvizohet në librin e Del Pontes, që është kundërshtuar dhe kritikuar nga të gjitha elita politike e trojeve shqiptare dhe të huaj.


Priten takime me Nishanin dhe Ina Ramën

TIRANË- Pas takimit të djeshëm me Ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, paraditen e sotme pritet që senatori zviceran Dick Marty të takojë zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetë Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, në dy takime të ndara.


Mësohet se në takimin me kryeprokuroren Ina Rama dhe stafin e saj, kjo e fundit do t'i vënë në dispozicion senatorit fakt mbledhës një kopje të vendimit të inspektimit dhe verifikimit në terren mes prokurorëve shqiptarë dhe hetuesve të Hagës të kryer në vitin 2005, ku në fund të këtij inspektimi u arrit në përfundim se pretendimet e Beogradit janë të pavërteta.


Gjithashtu, nga burimet e rezervuara mësohet se senatori Marty pritet t'i kërkojë kryeprokurores Rama dhe ministrit Nishani fakte të tjera shtesë nëse disponojnë mbi këto pretendime të ngritura nga ish-kryeprokurorja e Hagës Carla Del Ponte dhe akuzat e zyrtarëve të Beogradit.


Reagimi
Prishtina: Lufta e UÇK-së, e drejtë


"Ajo që dua të them është se populli i Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka bërë luftë të drejtë.


Ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë në çdo rast edhe me Tribunalin e Hagës edhe me drejtësinë vendore e ndërkombëtare dhe është vërtetuar shpeshherë se spekullimet e tilla, kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë.


Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me mekanizmat ndërkombëtarë, por gjithmonë të kujdesshëm që spekulimet e tilla të mos e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe që spekulimet e tilla të përfundojnë si spekulime",- ka nënvizuar zv\kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tre ditë më parë.


I dërguari i Këshillit të Europës, në një deklaratë të vitit të kaluar në një gazetë zviceriane shpreh qëndrimin e tij antikosovar

Dik Marti kundër pavarësisë së Kosovës

Dick Marty është caktuar nga Këshilli i Evropës për të hetuar edhe një herë pohimet e Karla Del Pontes se UÇK-ja ka trafikuar organet e viktimave serbe gjatë luftës në Kosovë. Por, për këtë zvicerani Marty duket të ketë një motiv shtesë.


Ai ishte kundërshtari më i ashpër i pavarësisë së Kosovës në Zvicër. Në një intervistë për gazetën zvicerane, Tages- Anzeiger që është botuar vetëm tri ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Marty është shprehur se UÇK-ja ishte bashkëfajtore për luftën e vitit 1998-99.


Në këtë intervistë, Marty thotë se Kosova është qendra kryesore e trafikimit të njerëzve, drogës dhe armëve. Ai është i bindur se të gjithë prokurorët në Evropë që ndjekin ndonjë rast kriminal, rruga i çon në Kosovë.


Tages - Anzeiger: Këshilli Federal i Zvicrës do të vendosë nëse ne do ta pranojmë Kosovën shtet të pavarur. Por, paraprakisht do të dëgjohet edhe zëri i Komisionit për Politikë të Jashtme, kryetar i të cilit jeni ju. Çfarë propozoni ju?


Dick Marty: Duhet të jemi të kujdesshëm. Kosova po ndahet nga Serbia, kundër vullnetit të Beogradit. Deri më sot, asnjë shtet nuk e ka pranuar OKB-ja, nëse ka dalë nga një situatë e tillë. Prandaj, duhet të kemi kujdes.

TA: Çfarë mendoni konkretisht?


Dick Marty: Unë kurrë nuk e kam kuptuar se si ministrja e Punëve të Jashtme të Zvicrës qysh para dy viteve është deklaruar pro pavarësisë së Kosovës.


TA: Ishte ky një gabim?


Dick Marty: Sipas bindjes sime, po. Sigurisht ajo nuk është konsultuar fare me Këshillin Federal, aq më pak me Parlamentin. Por, tani ne kemi nervozuar shumë serbët, me të cilët kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira.


TA: Pra, më mirë të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë sesa me Kosovën?


Dick Marty: Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë simpati për Slobodan Milloseviqin dhe asnjëherë nuk e kam mbrojtur. Por, nuk duhet që të gjitha të bërat e tij, të shkojnë në llogari të serbëve. Unë mendoj se ne po kriminalizojmë një popull të tërë. Nëse mund të mësojmë diçka nga historia, është: Mos e poshtëro një popull.


TA: A është kaq e lehtë që të shikohet përtej faktit që në kohën e Millosheviqit, Kosovës iu ka revokuar autonomia dhe më pas shqiptarët shumicë janë shtypur në mënyrë brutale?


Dick Marty: Unë nuk e mohoj atë që ka bërë Millosheviqi. Por, unë nuk besoj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e pafajshme në këtë çështje. Dhe, askush nuk mund ta mohojë që Kosova sot është qendra më e madhe e krimit të organizuar: trafikim i njerëzve, drogës dhe armëve.

TA: A është ky një argument kundër pavarësisë? Ose, thënë ndryshe, do të ishte luftuar krimi më mirë, nëse Kosova do të ishte pjesë e Serbisë?


Dick Marty: Kriminaliteti është shtresuar në dhjetë vitet e fundit, për fat të keq nën qeverisjen e ndërkombëtareve. Pothuajse çdo prokuror në Evropë që ndjek ndonjë rast kriminal, rruga e çon në Kosovë.


Njerëzit atje (në Kosovë) nuk kanë perspektivë. Gjendja ekonomike është katastrofale, papunësia është tepër e lartë, ky rajon është i varur nga ndihmat e huaja. Kosova nuk është fare e gatshme për pavarësi. Asgjë nuk është përmirësuar me qeverisjen ndërkombëtare. Ajo ka dështuar.

TA: Pra, ju jeni kundër pavarësisë së Kosovës?


Dick Marty: Unë nuk them që pavarësia e Kosovës është e paimagjinueshme. Por, është dashur të punohet që provinca (Kosova) të gëzojë një autonomi të gjerë, pastaj të kërkojë pavarësi.


Unë pyes veten se si do të garantohet në të vërtetë mirëqenia e minoritetit serb apo të romëve në Kosovë. Ajo fotografia e kosovarëve të zellshëm dhe të shkretë e të serbëve të këqij, nuk është reale.

TA: I dërguari Special i Kombeve të bashkuara, Martti Ahtisaari, është munduar të negociojë në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Por, ato nuk patën sukses.
Dick Marty: Ato nuk kanë qenë negociata të vërteta, por vetëm një lojë teatri. Vetëm Bashkimi Evropian kishte mundur të zhvillojë negociata të vërteta, duke iu afruar për disa hapa Serbisë.

TA: Si, për shembull?


Dick Marty: BE-ja do të duhej të shpallë Serbinë dhe Shqipërinë kandidatë për anëtarësim në BE, dhe në këtë mënyrë të detyrohen ato të gjejnë ose të ndikojnë për një zgjidhje për problemin e Kosovës.


Por, gjithmonë janë arsyetuar se Serbia po fsheh kriminelët e luftës, Radovan Karadziqi dhe Radko Mladiqi. Kjo ka bllokuar gjithçka. Këtu kritikoj edhe rolin që ka pasur Karla del Ponte, sa ishte kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ajo ka forcuar shumë nacionalistët serbë.

TA: Megjithëkëtë, BE-ja është sjellë ndryshe dhe Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.
Dick Marty: Si zviceranë tani duhet të jemi shumë kujdesshëm. Në Ballkan nuk ka një mur të ri, por një çarje. Në njërën anë qëndrojnë Serbia dhe Rusia, derisa në anën tjetër Kosova me shumicën e Evropës dhe Amerikën.


Intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ajo nuk ka shërbyer për arsye humanitare, por për interesa strategjike të Amerikës. Nëse neutraliteti ynë duhet të ekzistojë, atëherë duhet të jemi shumë të vëmendshëm.


TA: Por, në Ballkan nuk ka ndonjë konflikt të armatosur, që Zvicrën e shtyn të jetë neutrale?


Dick Marty: Mirëpo, kemi dy anë. Nëse ne pranojmë pavarësinë e Kosovës, ne pozicionohemi, pa fituar asgjë.

TA: Mirëpo, Zvicra ka marrëdhënie të veçanta me Kosovën..
Dick Marty: Në Tessin jetojnë po ashtu pesë apo gjashtë mijë serbë, të cilët janë integruar shumë mirë. Unë nuk dua të bëhem avokat i serbëve. Vetëm nuk dua të notoj në një rrjedhë prokosovare.


TA: A duhet ta pranojë Zvicra pavarësinë e Kosovës?
Dick Marty: Sipas meje, duhet të presim dhe të shohim se çfarë po ndodh. Sidomos me të drejtat e minoriteteve.


Shënim: Intervista është botuar në gazetën zviceriane TAGES - ANZEIGER me 20 shkurt 2008 dhe është marrë nga gazeta kosovare EXPRESS

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›