Senatori amerikan Bobe Dole, mesazhe dhe urime për popullin shqiptar, në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit
“Përgëzime Kryeministrit Sali Berisha, për progresin e madh të Shqipërisë
Senatori amerikan Bobe Dole, ka përshëndetur popullin shqiptar me rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa ka vlerësuar dhe përgëzuar Kryeministrin Sali Berisha për progresin që Shqipëria ka arritur.
“Përshëndes popullin shqiptar për arritjet e tyre të mëdha në vitet e fundit. Unë do të doja gjithashtu të përgëzoja Kryeministrin Berisha, Presidentin Topi dhe kabinetet e tyre për progresin e madh të Shqipërisë”, ka bërë ët ditur Bobe Dole dje nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për shtyp.
Duke përmendur edhe Rezolutën e para disa ditëve të Senatit të SHBA-ve, senatori Dole ka konfirmuar se shtetit shqiptar është edhe më i fortë, me institucione më të shëndetshme dhe me reforma që kanë përforcuar Kushtetutën.
“Siç pranohet nga rezoluta e paraqitur së fundi në Senatin e Shteteve të Bashkuara, shteti shqiptar tashmë është më i fortë se kurrë. Është një demokraci aktive me një ekonomi me orientim të tregut. Institucionet e saj politike janë të shëndetshme dhe reformat e fundit kanë përforcuar kushtetutën e saj. Shqipëria gjithashtu ka luajtur një rol konstruktiv në promovimin e stabilitetit në vendet e rajonit Ballkanik, në veçanti në Kosovë dhe Maqedoni. Nga përparimet më të rëndësishme në rangun ndërkombëtar të Shqipërisë, është pranimi i saj në gjirin e NATO-s si një anëtare me të drejta të plota”, shprehet më tej Dole në deklaratën e tij.
Duke renditur edhe arritje të tjera të Shqipërisë, senatori amerikan ka evidentuar edhe synimet për rezultatet edhe më të mira në të ardhmen, ndërsa i ka përcjellë urimet më të përzemërta shqiptarëve në prag të ditës ë zgjedhjeve.
“Shqipëria gjithashtu ka përparuar në efikasitetin e forcave policore dhe ka rritur përpjekjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përveç kësaj, në këto kohë sfidash, Shqipëria vazhdon të synojë rritje të mëtejshme në investimet e huaja dhe ekonominë e saj vendore. Populli shqiptar dhe udhëheqësit e tyre kanë shumë gjëra për të qenë krenar. Unë ju dërgoj urimet më të përzemërta kur t’i drejtoheni kutive të votimit për të thelluar më tej përkushtimin në demokraci, liri dhe mirëqenie”, përfundon deklarata e senatorit amerikan Bobe Dole.
...