Intervistë/Flet Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka

Edi Rama, fushatë artificiale dhe thirrje revanshi, sikur Shqipëria është pushtuar dhe ai duhet ta çlirojë
“Koalicioni i djathtë paraqitet më i fuqishëm, për shkak të mbështetjes më të gjerë që ka PD, por edhe për faktin që ka më tepër aktorë në fushatë. Edhe gjuha e këtij koalicioni është më e qartë dhe optimiste, sepse i referohet arritjeve konkrete”.
Presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka analizon situatën elektorale ne vend, kur kanë mbetur edhe tre dite nga zgjedhjet, duke vlerësuar koalicionin e djathtë “Aleanca për Ndryshim” pa mëdyshje si superior në këto zgjedhje, krahasuar me koalicionet e tjera elektorale. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “55”-së, kryealeancisti Neritan Ceka shpreh me bindje të sigurt se më 28 qershor shqiptarët do të votojnë të djathtën sepse ishte ky krah politik që e ktheu Shqipërinë në normalitet dhe përfundoi periudhën e tranzicionit.
Ceka vlerëson se me këtë qeverisje, shqiptarët për herë të parë u bënë pjesë e bashkësisë më të fortë e më demokratike, siç është NATO. Ndërkohë që thekson se Shqipëria trokiti në dyert e BE dhe vitin e ardhshëm do të fillojë lëvizja e lirë e të gjithë shqiptarëve në mbarë hapësirën e Evropës.
Sipas tij, e majta vjen në këto zgjedhje me projekte të përmbysjes së administratës dhe fillimit të gjithçkaje nga e para. Ai kritikon strategjinë e fushatës elektorale të Edi Rama, duke e vlerësuar atë si fushatë artificiale dhe të mbushur me thirrje revanshi, sikur Shqipëria është pushtuar dhe dikush do ta çlirojë.
Ceka, i cili kandidon në vendlindjen e tij, në qarkun e Elbasanit, deklaron se elbasanasit do të dëshirojnë të kenë një përfaqësues të vlerave qytetare në parlamentin e ardhshëm dhe do të jenë më pak pasionantë në votimet e 28 qershorit.
Jemi në prag të zgjedhjeve, si do ta vlerësoni fushatën elektorale, duke e parë këtë edhe në prizmin e koalicionit që ju përfaqësoni?
Përgjithësisht është një fushatë mediatike, ku synohet impresionizmi i elektoratit nëpërmjet grumbullimeve masive, efekteve figurative, apo spoteve televizive. E gjitha kjo është në kontrast me gjendjen ekonomike të vendit dhe, përgjithësisht të Evropës, ku po ndjehet kriza financiare dhe ekonomike. Pjesa më interesante e fushatës janë debatet televizive, por edhe këtu ka një ndarje artificiale midis përfaqësuesve të partive të mëdha dhe atyre të vogla. Si rrjedhim, në nivelin e të parëve zotëron gjuha e ashpër dhe akuzat e ndërsjella, ndërsa në të dytin ka më tepër debat programesh dhe tolerancë. Për sa i përket koalicionit, duhet të theksoj se ai nuk paraqitet si një forcë e vetme, për shkak të vetë kodit zgjedhor, ku çdo parti votohet veçmas. Sidoqoftë koalicioni i djathtë paraqitet më i fuqishëm, për shkak të mbështetjes më të gjerë që ka PD, por edhe për faktin që ka më tepër aktorë në fushatë. Edhe gjuha e këtij koalicioni është më e qartë dhe optimiste, sepse i referohet arritjeve konkrete.
Në qarkun e Elbasanit, duke iu referuar edhe takimeve që keni zhvilluar, cila është mbështetja që gëzon PAD?
Aleanca Demokratike mbështetet kryesisht tek strukturat partiake, që kryesohen nga këshilltarët në bashkitë e komunat e qarkut. Kemi edhe një mbështetje më të gjerë që vjen nga gjithë ata që e kanë parë Aleancën Demokratike si forcë e veçantë liberal-demokrate, si pjesë ekuilibruese dhe iluministe e politikës shqiptare.
Me çfarë synimesh Aleanca Demokratike shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare?
Së pari, ne synojmë për një fitore të të gjithë koalicionit, si garanci për vazhdimin e ecjes përpara në një rrugë që ka marrë për mbarë. Sigurisht kemi edhe ambiciet tona, të cilat mbështeten në rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit 2007, kur Aleanca Demokratike, ende në opozitë, arriti të sigurojë 4 për qind në shkallë vendi. Nëse i ruajmë këto rezultate, mund të marrim deputetë në Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Fier, por edhe në Kukës.
Ju theksoni se koalicioni i djathtë do të dalë i fituar dhe do të vazhdojë qeverisjen e vendit edhe pas 28 qershorit, nga vjen kjo garanci?
Sepse e djathta në pushtet e kryesuar nga Partia Demokratike, e ktheu Shqipërinë në normalitet dhe përfundoi periudhën e tranzicionit. Me këtë qeverisje shqiptarët i dhanë fund streseve për ujin e pijshëm, dritat, por edhe për rendin dhe sigurinë personale.
Për herë të parë ata u bënë pjesë e bashkësisë më të fortë e më demokratike, siç është NATO. Me ratifikimin e MSA po trokitet në dyert e BE dhe vitin e ardhshëm do të fillojë lëvizja e lirë. Tani pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk mendon për mbijetesë, por për mirëqenie dhe ky është një ndryshim i madh që erdhi me këtë qeverisje. Kjo është një arsye e fortë për të mos ndryshuar shpejtësinë e lëvizjes, sepse për fat të keq e majta vjen me projekte të përmbysjes së administratës dhe fillimit të gjithçkaje nga e para. Por vendi nuk ka kohë për të humbur dhe siç thotë populli, mos ta ndërrojmë kalin në mes të lumit.
Si e shikoni prezantimin e platformës qeverisëse, “Berisha” dhe “Rama”?
Berisha është më konkret dhe i bazon premtimet në rezultate; madje disa premtime janë në zbatim e sipër, siç janë rrugët, burimet e reja energjetike, rritja e pagave dhe pensioneve, etj. Rama është tepër i përgjithshëm dhe më kujton stilin e politikanëve demokristianë italianë të viteve 70.
Keni prezantuar kandidatët në qarqe dhe është vënë re se emri juaj është vetëm në qarkun e Elbasanit. Pse kjo zgjedhje nga ana juaj, duke parë se kryetarët e partive e tjera të vogla, kandidojnë në më shumë se 6 qarqe?
Këtë e kam bërë duke u nisur nga fakti se kam kandiduar edhe herë të tjera dhe kam fituar në Elbasan. Është qyteti i origjinës së familjes Ceka, që ka dhënë një brez patriotësh e intelektualësh që nga Rilindja. Është, gjithashtu qyteti ku kam punuar si arsimtar, pedagog dhe arkeolog. Kam besim se elbasanasit do të dëshirojnë të kenë një përfaqësues të vlerave qytetare në parlamentin e ardhshëm dhe do të jenë më pak pasionantë në votimet e 29 qershorit.
Edhe kjo fushatë është shoqëruar me incidente, me pasojë edhe vdekjen e një mbështetësi të Partisë Demokratike. Mendoni se incidente të tilla kanë si prapavijë individë të caktuar të politikës?
Ishte diçka shumë e dhimbshme dhe natyrisht që ka një prapavijë politike në faktin se fushata e Edi Ramës përmban shumë thirrje revanshi. Kjo krijon klimën artificiale, sikur Shqipëria është pushtuar dhe dikush do ta çlirojë. Nga ana tjetër nuk mendoj se ka individë, apo segmente të PS, apo partive të tjera parlamentare që organizojnë terror. Maksimumi që bëjnë në mënyrë të organizuar është grisja e posterave, apo heqja e flamurëve, gjë që i bën qesharakë.
Cilat janë prioritet tuaja për qytetarët e Elbasanit, menjëherë sapo të mandatoheni si përfaqësues i tyre?
Krijimi i në lobingu autoritar dhe profesionist në interes të gjithë qytetarëve të qarkut, për të arritur realizimin e dy projekteve të mëdha. Së pari, hapja e një tuneli në Kërrabë, i cili do të kthente Elbasanin në një lagje të Tiranës, për ta përfshirë në aksin më të fuqishëm ekonomik të vendit: Durrës-Tiranë-Elbasan. Kjo rrugë ka synime krejt të ndryshme nga aksi i Jugut, i cili do të kalojë në perëndim të Elbasanit. Së dyti, shfrytëzimi i potencialeve ekonomike të trevës, siç janë energjia e Devollit dhe Shkumbinit, prodhimi i hershëm bujqësor i Dumresë, Peqinit e Sulovës; sipërfaqe të lira për krijimin e ullishtave dhe pemishteve në tërë qarkun si dhe një projekt që do të aktivizonte zonat ende të panjohura turistike në malet e Bukanikut, Lenijes, Sopotit, Kërrabës, etj. Së treti zhvillimi i mëtejshëm i arsimit dhe shkencës , duke pasur si qendër universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Sjelltë mbarësi për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë dita e 28 qershorit!
...