E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Hetimi për 21 janarin, i pandikuar nga politika

TIRANE - Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi ritheksoi domosdoshmërinë e një hetimi gjithëpërfshirës dhe të pavarur nga politika për ngjarjet e 21 janarit të një viti më parë.

Në një deklarate të shkurtër për mediat, ambasadori Sequi deklaroi se BE-ja po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe mbështet plotësisht Prokurorinë e Përgjithshme në hetimin e 21 janarit.

“Në përgjithësi nuk bëjmë komente për hetimet. Kemi ndjekur me vëmendje konferencën e kryeprokurores, ambasadorit e SHBA, zëdhënëses së kryeministrit dhe deklaratën e opozitë për ngjarjen e 21 janarit. Po ndjekim nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Përpara disa ditësh së bashku me OSBE dhe SHBA, BE-ja ka nxjerrë një deklarate të përbashkët, ku theksohej nevoja për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Është e rëndësishme që ky proces të jetë i pavarur, gjithëpërfshirës dhe pa ndërhyrje politike.”- deklaroi Sequi.

Ambasadori i BE-së shprehu besim se gjyësori në Shqipëri do ta bëjë punën e vet në mënyrë që të vendoset drejtësia.
“Shqiptarët presin që të vendoset drejtësi”- përfundoi Sequi.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ina Rama: E vështirë të bëhet drejtësi, Halimi: Të jemi të paanshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›