E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Arvizu: Të arrihen rezultate konkrete përmes bashkëpunimit

TIRANE - Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvziu ka zhvilluar sot, përreth një ore, një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, disa nga çështjet e diskutuara në këtë takim lidhen me pavarësinë dhe mirëfunksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, reformën në drejtësi, ligjet e nevojshme që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament, miratimin e Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, si dhe situata në rajonin e Ballkanit.

Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu nënvizuan rëndësinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha forcave dhe aktorëve politikë në vend, të bazuar në gatishmërinë, mirëkuptimin dhe vullnetin politik të palëve.

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin e tij se “do të vijojë të apelojë në kërkim të përcjelljes së këtyre mesazheve për klasën politike shqiptare dhe nënvizoi se “deri në përfundim të mandatit të tij si President do të kontribuojë në përmbushjen e aspiratave integruese dhe të interesave kombëtare të popullit shqiptar”.

Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu theksoi nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe funksionimin ligjor e profesional të institucioneve të pavarura kushtetuese.

Takimi vjen një ditë pasi Ambasadori i SHBA-së doli në një konferencë shtypi përkrah kryeprokurores Ina Rama, duke mbështetur punën e institucionit qendror të akuzës për ngjarjet e 21 janarit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›