E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tracey Ann Jacobson në postin e Christopher Dell

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka nominuar për ambasadore të SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Duke iu referuar mediave kosovare, ky lajm është bërë publik nga Shtëpia e Bardhë. Kjo ka të bëjë me nominimet e reja që presidenti Obama ka vendosur ti bëjë në poste të ndryshme në administratën e tij si dhe në pozita përfaqësuese diplomatike në disa vende të botës.

“Unë jam mirënjohës që këta individë të talentuar dhe të përkushtuar kanë rënë dakord, për të marrë këto role të rëndësishme dhe për ti shërbyer popullit amerikan. Pres me padurim të punojë me ta në muajt dhe vitet e ardhshme, ka deklaruar Obama.

Ambasadorja Jacobson, një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik, momentalisht shërben si zëvendës-drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Pasi të jetë konfirmuar nga Senati, Tracey Ann Jacobson do të zëvendësojë Christopher Dellin, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kosovë prej vitit 2009.

Duke u ndalur në burimet e Kohës Ditore, ky i fundit pritet të vazhdojë punën në Gjermani, në postin e zëvendës komandantit në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Afrikën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›