Kriza, qeveria kërkon ndihmën e Bankës Botërore
Stabilizimi i treguesve fiskal dhe ulja e borxhit publik do të jetë thelbi i negociatave midis qeverisë shqiptare dhe grupit të ekspertëve të Bankës Botërore që ndodhen aktualisht në Shqipëri. Zyra e Bankës Botërore në Tiranë zbardhi dje agjendën e negociatave të grupit të ekspertëve prej katër vetash, të cilët do të diskutojnë me qeverinë në lidhje me fondin që do ti jepet Shqipërisë në formë ndihme për kapërcimin e vështirësive financiare që ka shkaktuar kriza në eurozonë si dhe reformimin e disa sektorëve të rëndësishëm në vend siç janë skema e pensioneve, ndihma ekonomike apo projekte të tjera. Një ndër çështjet kryesore në të cilën u ndalen ekspertët e BB-së, ishte niveli i borxhit publik, i cilësuar si më i larti në rajon si dhe deficiti fiskal. Shqipëria ka borxhin publik më të lartin në rajon. Edhe pse deficiti fiskal nuk është ndër më të lartët, zgjerimi i tij do të sjellë edhe rritjen e mëtejshme të borxhit, – tha Ron hud (Ron Hood), negociator i Bankës Botërore.
Nisur nga këto tregues, pjesa kryesore e negociatave është paketa financiare që banka po përgatit për ti ofruar qeverisë shqiptare në formë kredie. Duket se ekzekutivi është e prirur për të marrë shumën maksimale të ofruar nga Banka Botërore. Ekspertët hezituan të japin një shifër konkrete në lidhje me shumën e borxhit që do ti ofrojnë ekzekutivin, por konfirmuan gatishmërinë e ekzekutivit për të marrë të gjithë vlerën që mund ti ofrojë Banka Botërore. Megjithatë, shuma pritet të jetë më e madhe se 100 milionë dollarë. Bota është bërë një vend i rrezikshëm, sidomos për arsye të asaj që po ndodh në eurozonë. Veçanërisht për vende si Shqipëria, që kanë një varësi shumë të madhe nga eurozona. Shqipëria është e prekur nga këto zhvillime për shkak të varësisë tregtare dhe financiare nga eurozona. Për shkak të kësaj situate, banka vendosi si një politikë të përgjithshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe të gjitha vendet e rajonit ti akordojë financime më të mëdha. Me sa kuptojmë ne deri tani, indikacionet janë që qeveria shqiptare është e interesuar për gjithçka që po ofrohet në tavolinë, – shpjegoi dje Ron Hud.
Ai gjithashtu theksoi se për shkak të problemeve të krizës, vendet mund të përballen edhe me ritme të ulta të rritjes ekonomike. Kemi parashikuar një rritje ekonomike mesatare 2.1 për qind për vendet e rajonit dhe 2 për qind për Shqipërinë në 2012. Por me kushtet e sotme situatat ndryshon nga momenti në moment. Rreziqet janë që të kemi një rënie tjetër, -shtoi ai. Të pyetur nëse banka u ofrua për të ndihmuar Shqipërinë me vullnetin e saj apo ishte qeveria kërkuesja e këtij fondi, ekspertët e bankës sqaruan se fillimisht ishte programuar një fond ndihme për vendet e rajonit, ndërsa ekzekutivi shfaqi interes pasi mësoi një nismë të tillë.
Borxhi shqiptar, 769 miliardë lekë
Shqipëria ka një Borxh Publik prej 768.9 miliardë lekë. Këto janë të dhënat e fundit zyrtare deri në fund të shtatorit 2011 të publikuara nga Ministria e Financave. Shuma përllogaritet të jetë sa 59.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, e cila u cilësua nga ekspertët e Bankës Botërore si më e larta në rajon.
