E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Pas statusit, rritet mbështetja; Berisha: Për bujqësinë!

Në fjalën e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi tha se me marrjen e statusit të vendit kandidat, Unioni do të rrisë investimet në Shqipëri, teksa shtoi se vendi ka mundësi reale për integrimin.

“Jemi të angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Taksapaguesit evropianë kanë ndihmuar me miliona euro që Shqipëria të përmbushë standardet e saj në rrugën për anëtarësim. 82 milionë po shkojnë për By Pass-in e Vlorës dhe Gjykatën e Tiranës. Me marrjen e statusit kandidat mbështetja jonë do të rritet më shumë. Siç ka thënë dhe komisioneri Fyle, ju keni prespektivë reale, por duke pasur parasysh 12 rekomandimet, ne besojmë se do shohim rezultate konkrete që do të tërheqin investitorët. Ju jeni aktorë kyc, keni rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e ekonomisë, kjo është një nga kriteret për anëtarësimin e BE”, theksoi Sequi.

Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha kërkoi një partneritet më të madh mes biznesit shqiptar dhe biznesit evropian, teksa theksoi se është me rëndësi mbështetja për bujqësinë.  “Jemi mirënjohës për ndihmat që jepni. Z ambasador theksoj se duhet më shumë për bujqësinë. 40% e popullsisë është rurale. Tërësia e investimeve shkojnë në zonat rurale, por kanë qenë në stad mesjetar. Mundësitë tona për të asistuar direkt për fermerët kanë qenë dhe janë modeste. Do vlerësonim shumë një mbështetje nga KE dhe pse duhet të theksoj se eksportet e zarzavateve janë dyfishuar. Prodhimet e fermerëve tanë po konkurrojnë me forcë”. tha kryeministri.

Sipas Berishës, "Shqipëria në projektin e saj për përmirësimin e klimës së biznesit ka realizuar disa arritje të mëdha. Vendi ndodhet në pozicionet e para përsa i përket qeverisjes së vogël, çka do të thotë më pak taksa mbi shpatullat tuaja. Qeveria shqiptare është një nga qeveritë më dorë shkurtra. Në Shqipëri ekziston një raport i lakmueshëm mes prodhimit dhe pagave, çka dëshmon një fleksibilitet të tregut të punës".

 Kryeministri vuri në dukje se "një problem është i rëndësishëm për dhomat e tregtisë dhe biznesin shqiptar dhe ky është partneriteti me biznesmenët evropianë. Kjo do t'iu sjellë gjithnjë fitim, ndaj do t’u kërkoja që kërkesat e tyre të shqyrtohen sa më mirë". /Start/

                                                                                             2012-05-25 11:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›