E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Shqipëria ka shanse të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat

22-08-2013 / Gazeta 55

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi,  takim me te rinjte e LRI në Jalë

Ambasadorit i Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi, ka deklaruar se Shqipëria ka shumë shanse të marrë statusin e vendit kandidat në një kohë të shkurtër. Duke folur para të rinjve të LRI-së në Akademinë Verore për Politikën në Jalë, diplomati i huaj tha se ka disa lëvizje interesante në drejtim të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga BE-ja dhe se me angazhimin e duhur proceset integruese mund të marrin një hov të madh. "Siç e dini për të martë statusin e vendit kandidat ne kemi kërkuar një sërë kriteresh, njëra prej të cilave ishte edhe aprovimi në parlament i tre ligjeve që fatmirësisht u bë para zgjedhjeve të 23 qershorit. Kemi kërkuar edhe disa angazhime sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar dhe kjo është pjesë e kapitullit më të rëndësishëm. Në këtë drejtim nuk është se kemi shumë kohë për të parë rezultate, por gjithsesi shoh se ka disa lëvizje interesante. Mendoj se me angazhimin e duhur dhe me ndërmarrjen e shpejta të disa veprimeve, shanset janë shumë të larta sa i përket marrjes së statusit", theksoi shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë. Në ditën e dytë të aktivitetit të organizuar nga LRI-ja në Jalë, z. Ettore Sequi referoi në seminarin me temë “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”. Duke folur për këtë temë ai  shpjegoi se BE është një sistem vlerash të përbashkëta, që ka të bëjë me barazinë gjinore, ka të bëjë me të drejtat e njeriut në tërësi, me barazinë ndaj ligjit, ka të bëjë dhe me standardet dhe me rregullat në tërësi. Ai iu bëri thirrje të rinjve që marrin pjesë në jetën politike të vendit, në jetën aktive publike dhe ta kenë të qartë se integrimi në BE është në interesin e vendit, një interes që përfshin konkretisht jetën e njerëzve. Sipas ambasadorit, për të gjitha vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, sfida numër një është ajo që quhet sundimi i ligjit apo shteti ligjor. "Kjo do të thotë të garantohet se të gjithë, pavarësisht funksioneve, të jenë të barabartë para ligjit. Kjo do të thotë të luftosh korrupsionin, të luftosh krimin e organizuar, të mos ketë diskriminime në zbatimin e ligji. Askush nuk duhet të dalë mbi ligjin dhe askush poshtë ligjit", shtoi z. Sequi. Ai bëri të ditur se kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, do të nisin negociatat, që është një proces shumë i komplikuar. Do të jenë 35 kapituj, duke nisur nga ambienti deri te të drejtat e njeriut, dhe një kapitull është ai që do të hapë dhe do të mbyllë negociatat para se të bëhen i anëtar më të drejta të plota i BE-së: është sundimi i ligjit. Pasi të gjithë këto kapituj të mbyllen padyshim që do të vihet re se vendi ka bërë një progres shumë të theksuar sa i përket reformave dhe për të pasur një jetë më të mirë dhe zhvillim më të mirë për të gjithë", tha përfaqësuesi i BE-së. Ndërkaq, z. Sequi u ndal edhe tek ajo që ai e cilësoi si një handikap në kulturën e bashkëpunimit dhe dialogut në ambientin politik në Shqipëri. “Në shumë raste arritja e konsensusit do të thotë që edhe kundërshtari juaj politik nuk do të duhet domosdoshmërisht të humbasë që ju të jeni fitimtarë", tha ai.  Sa i përket kontributit që ka dhënë Bashkimi Evropian për Shqipërinë, ambasadori theksoi se janë financuar rreth 520 milionë euro për projekte të ndryshme gjatë viteve të fundit. “Këto para janë shpenzuar për të përmirësuar shërbimin policor, sistemin e drejtësisë, në ndërtimin e rrugëve, shkollave, për të mbështetur bujqësinë. Pse e bëjmë ne këtë? Sepse ne kujdesemi dhe na intereson e ardhmja evropiane e Shqipërisë", përfundoi z. Sequi. Ndërkaq, po dje edhe Ambasadori i SHBA-së, z. Alexander Arvizu, i ftuar gjithashtu nga LRI në Akademinë Verore për Politikën që po zhvillohet në bregdetin e Jalës, duke referuar në seminarin me temë “Vizioni i SHBA për Shqipërinë dhe Ballkanin", tha se "ne mezi po presim të punojmë edhe me qeverinë e re, kemi hyrë tashmë në bisedime dhe për mua arsyeja më domethënëse është se këto zgjedhje kanë dëshmuar që votuesi shqiptarë, elektorati shqiptar që sot e tutje është i gatshëm që t’i vënë përpara përgjegjësisë politikanët dhe ata që ato zgjedhin në Parlament. Kjo që ka ndodhur, për mendimin tim, përfaqëson një lloj konsolidimi të demokracisë dhe të vlerave të saj në një vend si Shqipëria”, tha z. Arvizu.  Duke analizuar zgjedhjet e 23 qershorit, z. Arvizu theksoi "pika e parë që ka më tepër rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur vjen fjala për Shqipërinë, është konsolidimi i demokracisë. Dhe gjykoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, zgjedhje me të vërtetë historike"

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›