Editorial/A do heshtin Trustet e lirisë së fjalës, edhe kur kryeministri Rama ta trajtojë median si “prostitutë mediatike”?
Edi Rama i ka arritur disa fitore në luftën për të zvjerdhur rolin e medias në pasqyrimin e jetës së partive politike. Para zgjedhjeve të 2009-s, ai iu imponua publikut përmes përjashtimit të gazetarëve nga aktivitetet e tij partiake, dhe i mëkoi ata veç me kronika të dirigjuara, sipas një stili që më shumë se pluralizmit, i ngjante praktikave gebëlsiane. Më vonë ai e ktheu në normë edhe sulmin personal ndaj gazetarëve e përzgjedhjen e selektimin e tyre, qoftë në konferencat partiake, qoftë në intervistat televizive. Praktika e trajtimit të medias si një kundërshtar që duhet mundur u përsërit edhe në 2013-n, ndërkohë që dje asistuam në një shkallë të re të përpjekjes së kryeministrit në ardhje për ta trajtuar median si një vasale. Organizimi okult i Vlorës u mëkua me pamje me pikatore (sipas regjisë së “fabrikës së ideve”) për ekranet si dhe me shënimet e “udhëheqësit” në twitter, pas takimit me ministrat e LSI-së, pas takimit me ministrat e PS-së, pas takimit të përbashkët me ministrat e të dyja palëve si dhe pas drekës së përbashkët ministrore.
E njëjta praktikë e izolimit pritet të vijojë edhe nesër, ndërkohë që mediat i raportuan pikë për pikë “mbresat” e Edvinit në twitter. Bile publiku pa edhe ngjyrën mavi të dosjes ku mendohet se duhet të jenë shkruar piketat e programit 300 ditor të qeverisë - rast ekzemplar, pasi qeveritë kanë veç program 100 ditor e 4-vjeçar (përjashtuar qeveritë që marrin mandate të përkohshme, me afat të paracaktuar). Është krejt njëlloj si programi 1 mijë faqesh i 2009-s, një skenografi që i ofrohet e gatshme medias, si një parafabrikat që ka veç një mundësi përdorimi.
Deri kur do ruhet kjo status-quo? Deri kur, aksioni i Edi Ramës do tolerohet të serviret si një koment pas mbledhjes okulte? Tashmë ai do përfaqësojë institucionin kushtetues më të rëndësishëm në vend. Megjithatë, ai ende s’e beson se është zgjedhur për të luajtur rolin e kryeministrit, dhe vijon të luajë rolin që di të luajë më mirë, atë të parvenysë. Flet si horr me vartësit, trajton personalisht çështjet e marrëdhënieve me një shtet fqinj dhe sillet si në një zijafet privat, edhe kur flet me 19 ministrat e tij për planin 300 ditor të qeverimit. Dikur ai e ka shpallur qasjen e tij ndaj medias si qasje ndaj një prostitute mediatike, me të cilën s’e lidh asgjë… Sot del se koncepti ka evoluar dhe ai këtë “prostitutë” po kërkon ta shfrytëzojë. Deri kur grupet mediatike do të zbatojnë ndaj Edi Ramës një standard kaq laksist, si ndaj një përfaqësuesi ojq-je, si ndaj një ekologjisti, ndaj ndonjë grupi minoritar apo ndaj ndonjë anarkisti; pra si ndaj ndonjë figure e cila meriton gjithë empatinë e mundshme? Një ditë pas mbledhjes sefte që kryeministri në ardhje po mban në Vlorë është rasti për ta shtruar këtë pyetje. Në fund të fundit kjo është për ne një pyetje më utilitare sesa pyetja bazë, si do të sillet Edi Rama me mediat, pyetje që mund ta shtrojnë të tjera segmente të shoqërisë, dhe jo gazetarët.