E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi e Basha “nisen” me biçikletë drejt Evropës

“Dita e Evropës” nxorri në një shëtitje me biçikletë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Me moton “Vrapo drejt Evropës”, ata së bashku me dhjetëra persona të tjerë bënë udhëtime në bulevardin qendror në kryeqytet. “Të nderuar miq, nuk do flas shumë gjatë sepse pas dy garave, më duhet edhe mua që të marr veten. Jam shumë i lumtur, që ju morët pjesë në këtë aktivitet, pasi Evropa nuk është thjesht “dokumente” dhe gjëra që duhen arritur por është edhe ky shpirt, frymë për Evropën, ka të bëjë më të jetuarit në mënyrë të shëndetshme, mjedisin, me këtë entuziazëm që ju keni treguar të gjithë këtu sot”, u shpreh Sequi.

Në mesazhin e tij, Basha theksoi vendosmërinë dhe angazhimin, për të ndërtuar Tiranën evropiane.  “Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, madje shpesh me pengesa, por ne jemi të vendosur për të vrapuar, ashtu siç ju bëtë sot, për të kaluar çdo pengesë dhe për të ndërtuar këtu në Tiranë, atë që kemi ëndërruar e dëshiruar 22 vjet më parë nëpër rrugët dhe sheshet e këtij qyteti. Kjo dëshirë, ky shpirt dhe energjia  juaj e shton optimizmin tim,  se në një kohë të shkurtër do të vendosim standardet evropiane në Tiranë, do të ndërtojmë Tiranën evropiane, Tiranën e shekullit  të 21-të”, theksoi Basha. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-09 14:17
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›