E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Serbët” e Tiranës dhe rishkrimi i historisë

Nga Av. Idajet Beqiri

-Vite më parë, domethënë në vitin 1997, kur ende ishte gjallë satrapi nazist i Ballkanit, Sllobodan Milosheviçi, në një mbledhje të Parlamentit të Serbisë, radikali serb Sheshel i ka kërkuar llogari të drejtpërdrejtë atij se kujt ia kishte dhënë 17 milionë dollarë në Shqipëri. Krimineli i luftës Milosheviç, i cili vdiq në Gjyqin e Hagës, ju përgjigj: “Shikoni si është katandisur Shqipëria, si është djegur, si është shkatërruar e si po vriten çdo ditë me njëri-tjetrin. Me ato 17 milionë dollarë arritëm që Shqipërinë mund t’a pushtojmë kur të duam, vetëm me shoqatën e gjuetarëve të Serbisë… !” Pikërisht këta “serbë” të Tiranës, një pjesë e mirë e të cilëve kanë mbaruar edhe fakultetin e gjuhësisë shqipe në Beograd, kanë vite e vite me radhë që janë ulur këmbëkryq në kryeqytetin tonë. Ata studiojnë terrenin tonë, përpunojnë strategji e taktika veprimi antishqiptare, mbajnë ndezur “urat e zjarrit”, të cilat i futin si pa gjë të keq mes nesh, për të mbajtur të pranishëm në çdo çast mosmarrëveshjet e rënda ndërshqiptare. Në kuadrin e “prodhimit në seri” të skenarëve ogurzinj për t’i mbajtur shqiptarët të ngërdheshur në konfliktin e rëndë me vetveten, “serbët” e Tiranës, me ndihmën e disa pinjollëve të pandreqshëm të kolaboracionistëve nazifashistë, rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”,  përmes një akti administrativ absolutisht të pavlefshëm, i hoqën emrin dhe ia vendosën “Ibrahim Rugova”. Veprimi është cinik dhe narcist. Në 4 shkurt 1944, në Tiranë, është bërë një ndër masakrat më të përgjakshme, që kanë kryer nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Këtë masakër e bënë Gestapo gjermane së bashku me Xhafer Devën, ministër i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar,etj. Këta kriminelë të Luftës së Dytë Botërore, natën e 4 shkurtit, me lista në duar u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e vajza, i nxorën në rrugë dhe i pushkatuan. Në datën 5 shkurt 1944 Komanda e Xhandërmarisë së Xhaferr Devës, në raportin e saj për ngjarjen thoshte: “Forcat e xhandërmarisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. (AQSH, Fondi 1230, dosja Nr. 134). Në përkujtim të këtij akti barbar që kryen nazistët dhe kolaboracionisti Xhafer Deva me kallëpet e tij antishqiptar, në përkujtim të 84 dëshmorëve të masakruar në këtë natë të zezë të 4 shkurtit 1944, një vit më vonë në 1945 kësaj rruge iu vu emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Për të përmbushur “skenarin e zi” të përdhosjes së luftës së drejtë botërore antifashiste nacional-çlirimtare që bënë shqiptarët, në datën 28 dhjetor 2011, me propozim të Kryebashkiakut Lulzim Basha, (ky ishte propozimi i parë i Lulzim Ballës pasi mori drejtimin e Bashkisë së Kryeqytetit!), Këshilli Bashkiak i Tiranës, pasi bëri shumicën e votave edhe me LSI, ia hoqi emrin “4 shkurti” kësaj rruge dhe i vendosi emrin “Ibrahim Rugova”. Pasardhësit dhe përkrahësit e kolaboracionistëve, e bënë këtë akt të vetëdijshëm se Ibrahim Rugova është nipi i Xhaferr Devës. Por pa shfuqizuar më parë vendimin e ish-komitetit Ekzekutiv të Tiranës të vitit 1945, i cili në bazë të ligjit të kohës ka bërë emërtimin e rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”, nuk mundet të marrësh pas 68 vjetësh një akt tjetër administrativ për ta dubluar të parin! Por “serbët” e Tiranës nuk duan t’ia dinë as për ligj, as për moral, as për komb e atdhe. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›