Serbët e veriut akuzojnë Stefanoviçin se ka pranuar Kosovën

Liderët e serbëve të veriut të Kosovës kanë reaguar ndaj akuzave të cilat Borko Stefanoviqç, shef i deritashëm i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, i ka bërë në adresë të këtyre liderëve.
Stefanoviç, duke komentuar lidhur me kritikat që liderët opozitarë dhe ata të veriut të Kosovës i kanë bërë procesit të dialogut të Serbisë me Kosovën, dhe marrëveshjeve të arritura, ka thënë se “në Kosovë ka disa serbë që mendojnë se është e mundur që gjithçka të kthehet në vitin 1996 ose 1997”.
Marko Jakshiç, lider i serbëve të veriut, i ka hedhur poshtë pohimet e Stefanoviçit, duke thënë se serbët në veri janë të vetëdijshëm që gjërat nuk mund të kthehen siç kanë qenë në fundin e viteve 90.
“E dimë të gjithë se gjendja nuk mund të kthehet sikur në vitin 1999. E dimë se ka pasur bombardime, dhe se këtu tashmë janë trupat e KFOR-it. E dimë se këtu është një gjendje tjetër dhe se 200 mijë i kanë braktisur këto hapësira. Është e sigurt se ne një pjesë të madhe të gjithë kësaj nuk mund ta kthejmë prapa. Thjeshtë, sot nuk guxojmë dhe nuk duhet të bëjmë çfarëdo qoftë që e rëndon pozitën e serbëve. Por, natyrisht, nuk guxojmë as që me veprime të heshtura ta pranojmë shtetin e Kosovës. Ndërsa, këtë e ka bërë Borko Stefanoviç”, shprehet Jakshiç.
Ndaj akuzave të Stefanoviçit, ka reaguar edhe Millan Ivanoviç, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb. Sipas tij, pohimet e Stefanoviçit se në veri “institucionet, infrastruktura dhe shërbimet komunale, janë krejtësisht të shkatërruara”, nuk qëndrojnë.
Ndërkohë, të dy liderët serbë të veriut vlerësojnë se serbët në veri nuk do t`i pranojnë marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, derisa Gjykata Kushtetuese e Serbisë nuk i shpall ato si marrëveshje të vlefshme, që nuk e cënojnë Kushtetutën serbe.