E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët e veriut kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve

MITROVICE- Përfaqësuesit e komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, i kërkojnë kreut shtetëror të Serbisë të ndërpresë bisedimet me Prishtinën dhe zhvillimin e dialogut në nivelin e Kombeve të Bashkuara.

“Ftojmë qeverinë dhe kryetarin e Serbisë të pezullojnë bisedimet, sepse prej tyre s’ka gjë, përveç bërjes së shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë në Beograd, Lubomir Kragoviç, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

"Duhet t’i themi stop shantazhit – duam të bisedojmë në baza të barabarta. Duhet të ndalet politika tradhtare, të cilën e udhëheq Stefanoviçi dhe ministri Bogdanoviç nën patronatin e presidentit Tadiç, i cili di vetëm të thotë se ‘rruga në BE s’ka alternativë dhe s’do ta njohim pavarësinë e Kosovës’”, ka thënë Kragoviç.

Një përfaqësues tjetër i serbëve të veriut, Marko Jakshiç, ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara hetime të pavarura për zhvillimet në Jarinë.

"Nuk kemi hyrë në konflikt me shtetin, por me politikën e atyre që udhëheqin shtetin, Boris Tadiq nuk është shteti…nëpërmjet barrikadave ne ruajmë integritetin e Serbisë, porn ë këtë betejë nuk e kemi mbështetjen e Beogradit, sepse Tadiqi midis mbrojtjes së vendit dhe BE-së, ka zgjedhur BE-në”, ka thënë Jakshiç.
(s.g/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›