E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Në burg përjetë Lul Berisha dhe Indit Doklja

11/10/2011  Pretenca: 10 vjet të penduarit Coli të Bandës së Durrësit. Akuza për vrasje dhe drogë

TIRANE- Prokuroria shtrëngon “grushtin” para anëtarëve të Bandës së Durrësit, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për pesë anëtarët e grupit, por për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë të të pandehurit Adriatik Coli, akuza vendosi të tërhiqet nga kërkesa e parë, duke kërkuar përfundimisht dënimin e tij me 10 vite burg. Masa kapitale dënimi janë kërkuar për Lulëzim Berishën, që cilësohet nga Prokuroria si themeluesi dhe drejtuesi i Bandës së Durrësit, ndërkohë që burgim i përjetshëm është kërkuar dhe për kunatin e tij Plaurent Dervishaj, i cili në këtë proces gjykohet në mungesë, pasi mendohet se fshihet në Amerikë. Dënimit të përjetshëm nuk i ka shpëtuar as miku dhe më pas rivali i Lulzim Berishës, Indrit Dokle, për të cilin prokurori Anton Martini kërkoi dënim të përjetshëm. Në seancën e djeshme me këtë masë dënimi është njohur dhe i pandehuri Indrit Taullai, i cili sipas akuzës është një nga 17 anëtarët e Bandës së Durrësit, duke u akuzuar për vrasje, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe rrëmbim personi. Gjatë leximit të pretencën Prokuroria kërkoi dënimin me 21 vjet burg të të pandehurit nga Kosova Osman Karpuzi, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Sipas akuzës, ai është paguar nga Dokle për të vrarë rivalin e tij Lulëzim Berisha. Ndërkohë që për 11 anëtarët e tjerë të bandës Prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin me nga 25 vjet burg, pasi janë implikuar në vrasje dhe plagosje. Të pandehurit e Bandës së Durrësit akuzohen për të paktën nëntë vrasje, 11 plagosje, mbajtjen peng të një dëshmitareje Valbona Jahos, si dhe disa atentate. Banda dyshohet të ketë vepruar që nga viti 1992 deri në 2005, në qytetin e Durrësit. Fillimisht vepronte si një e vetme, por për shkak të prishjes së pazareve u nda në dy fraksione. Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale prodhoi dhjetëra viktima. Lulëzim Berisha u arrestua në 2006 në Maqedoni. Shkak i ndarjes së grupit në dy fraksione sipas Prokurorisë ka qenë një zënkë mes Lulëzim Berishës dhe numrit dy të këtij grupi Klodian Saliu, i cili mendohet se është ekzekutuar nga Berisha. Sipas akuzës, sherri mes dy drejtuesve të grupit ka pasur si motiv ndarjen e një shume financiare prej 800 milionë liretash italiane të fituara nga trafiku i drogës dhe prostitucionit në Itali.

1. Lulzim Berisha burg përjetë

2. Indrit Dokle burg përjetë

3. Plaurent Dervishaj burg përjetë

4. Indrit Taullau burg përjetë

5. Altin Olloni 25 vjet burg

6. Kujtim Buna 25 vjet burg

7. Sardjan Sulejmani 25 vjet burg

8. Julian Meçe 25 vjet burg

9. Jurid Xhunga 25 vjet burg

10. Edvin Hoxhosmani 25 vjet burg

11. Selman Heti 25 vjet burg

12. Spartak Kalthi 25 vjet burg

13. Alban Neli 25 vjet burg

14. Altin Nikolla 25 vjet burg

15. Ahmet Ajeti 25 vjet burg

16. Osman Karpuzi 21 vjet burg

17. Adriatik Coli 10 vjet burg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›