Serbët, humor me Dreshajn
Ueb-faqja serbe e humorit, “Njuz” ka bërë paksa humor me Afërdita Dreshajn duke e prezantuar atë si serbe që ka marrë pjesë në Miss Universe 2011, në Sao Paulo të Brazilit.
“Afërdita jonë është hyrë në top 16 e vajzave më të bukura të Universit”, është titulli i këtij shkrimi humoristik. “Përfaqësuesja e Serbisë, Afërdita Dreshaj është hyrë në mesin e 16 vajzave më të bukura të universit. Një rezultat i mirë për bukuroshen serbe, e cila është lindur në krahinën tonë të vogël në jug të vendit. Ajo ka prirë edhe në rezultatet e anketave nëpër gazetat serbe”, shkruan Njuz.
Por, kjo faqe e cila njihet si një faqe që thumbon edhe politikanët serbë, sidomos Vuk Jeremicin, nuk e ka lënë pa i thumbuar edhe kosovarët.
“Gjatë ditës së djeshme atë e kanë uruar të gjithë liderët e Serbisë për suksesin e saj”, duke ia përkujtuar kështu politikanëve kosovarë se ata duhet ta urojnë bukuroshen kosovare për suksesin.
“Ky është një sukses i madh i Serbisë, në të cilën bota do të merr një mesazh të qartë për integritetin e vendit tonë”, ka thënë Vuk Jeremic, një thumb ky interesant i gazetës pasi që Kosova në “Miss Universe 2011” u paraqit si shtet.