Lala, Skela e Duro, pensionohen në nëntor

Me përfundimin e eliminatoreve për Euro 2012, tre futbollistë e Kombëtares shqiptare; Altin Lala, Ervin Skela e Klodian Duro do t’i thonë lamtumirë ekipit kuqezi, fanellën e së cilës e bartën për më shumë se një dekadë.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në nëntor të këtij viti pritet të organizojë një ndeshje miqësore kundër Azerbajxhanit, e cila do të jetë edhe ceremoni lamtumirës për tre mesfushorët.
“Tërheqja ime nga kombëtarja s’është ndonjë sekret. Unë e kam deklaruar edhe më parë që në fund të edicionit të kombëtares do të tërhiqem. Tashmë koha po afrohet, më ka mbetur vetëm një ndeshje për të luajtur me Rumaninë, pasi ndaj Francës s’mund të aktivizohem për arsye kartonësh”, ka thënë Altin Lala për të përditshmen sportive ‘Sporti Shqiptar’.
Pas humbjes së fundit nga Luksemburgu, trajneri Josip Kuze ka paralajmëruar se do të fillojë renovimin e ekipit kuqezi, renovim i cili ishte paralajmëruar edhe më parë, por që asnjëherë nuk kishte nisur.
Edhe kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, i cili për më shumë se një dekadë është pjesë e ekipit gjerman Hannover ’96, e përkrah idenë për renovimin e ekipit kuqezi.
“Duhet të kuptojmë diçka, askush në kombëtare nuk e ka vendin me tapi. Kush e meriton, luan. Më të rinjtë duhet të punojnë shumë, të aktivizohen rregullisht me klubet e tyre dhe të luajnë më skuadra me nivel të lartë që ta meritojnë kombëtaren. Skuadra përfaqësuese është maja e futbollit, “qershia mbi tortë”, por përgatitjen duhet ta bësh te klubet”, theksoi Lala.
Javë më parë nga ekipi kuqezi papritur ishte pensionuar portieri kosovar Arian Beqaj, i cili tashmë ka filluar karrierën si trajner i portierëve te skuadra e njohur qipriote Anorthosis. Pas Lalës, Skelës e Duros, lamtumirë Shqipërisë pritet t’i thotë edhe Erion Bogdani.