Serbët kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Shkup, pas tërmetit të 1963
50 vjet nga tërmeti, historianët dëshmojnë strategjinë e prishjes së ekuilibrave demografikë të Shkupit. Projektet e rindërtimit të qytetit u shfrytëzuan për të larguar prej andej shqiptarët e për ta kaluar për herë të parë balancën, në favor të sllavëve, duke sjellë kolonë serbë e maqedonas nga rajone të tjera
Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, duke iu bashkëngjitur qytetit të Shkupit, për shënimin e 50 vjetorin të tërmetit katastrofal të vitit 1963, dje në “Librarinë e Çarshisë” në Shkup, zhvilloi tryezën shkencore me temë: “Fytyra e Shkupit, para dhe pas tërmetit”. Në këtë tryezë morën pjesë me referimet e tyre historianë, demografë, sizmologë, gazetarë e punonjës humanitar, të cilët evokuan këtë tragjedi për Shkupin, ku kishin humbur jetën mbi 1000 veta dhe mijëra të tjerë të plagosur e të zhvendosur përgjithmonë nga Shkupi i vjetër. Kryetari i SHHSHM-së, Skënder Asani, tha se Shkupi pësoi njëherë, ndërsa banorët shqiptarë dy herë, sepse u ndryshua struktura nacionale e këtij qyteti e cila deri atëherë ishte me shumicë shqiptare, dhe me dhjetëra mijëra shqiptarë të Shkupit u shpërngulën për në Kosovë, Turqi e vende të tjera.
Qerim Lita, drejtori i arkivit shtetëror tha se në vitin 1945 në Shkup kishte 47 % popullatë shqiptare krahasuar me të tjerat që jetonin në këtë qytet. “Fillimisht desha të theksojë se Shkupi me rrethinë në vitin 1945 numëronte saktësisht 145.260 banorë ndërsa qyteti, këto janë burime arkivore, 67.743 banorë. Numri më i madh i këtyre banorëve ishin shqiptarë ku sipas statistikave, diku popullsia shqiptare në krahasim me popullsitë e shumta tjera të Shkupit përbënin diku 47 %, në vitin 1945”, tha Qerim Lita, drejtor i arkivit të Maqedonisë.
Historiani Nebi Dervishi duke u bazuar në dokumentet e arkivuara historike tha se autoritetet maqedonase kanë përdorur tragjedinë e Shkupit për të pastruar Shkupin nga shqiptarët. “Deri në viti 1963 Shkupi ka qenë me një numër më të madh shqiptarësh në trevat shqiptare. Pas tërmetit të 26 korrikut, ndihma që iu ofrua nga bota e civilizuar pas katastrofës, qarqet sllavo maqedone i shfrytëzuan për pastrimin e qytetit nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me popullatë sllave. Pra, pas tërmetit të 26 korrikut intensifikohen masat për ndryshimin e strukturës së popullsisë sidomos pas largimit të shqiptarëve në tokën e premtuar në Anadolli kurse paralelisht me këtë filloi migrimi masiv i maqedonasve në Shkup. Për këtë flasin dokumentet zyrtare të kohës që ruhen në arkivin shtetëror të Maqedonisë në Shkup”, tha Nebi Dervishi, historian.
Sekretari i Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Sait Saiti, referoi për rolin humanitar të kësaj organizate gjatë katastrofës humanitare të 1963-shit, kur nga e gjithë bota erdhën vullnetarë të shumtë, madje edhe ushtri ‘kundërshtare’, të cilët shpëtuan shumë jetë nga gërmadhat. Ndërsa, Isak Idrizi, u ndal më tepër në trajtimin e aspektit sizmologjik të kësaj katastrofe, nga e cila tha se duhet të marrim shumë mësim, sidomos gjatë ndërtimeve të reja, të cilat duhet të ndërtohen me materiale më të forta, në mënyrë që të parandalojnë katastrofat tjera të mundshme të kësaj natyre. Më tej, Zeqirija Ibrahimi, elaboroi disa fakte se si tërmeti i Shkupit, nga fatkeqësi humanitare, u shndërrua në fatkeqësi kulturore. Ai përmendi faktin se nga mbi 30 xhamitë e rrënuara, pushteti i asaj kohe u mjaftua me meremetimin e 3-5 prej tyre, duke u munduar që të motivojë çrrënjosjen elementit islam-shqiptar të Shkupit. Ibrahimi theksoi në mënyrë alegorike, se tërmeti i vitit 1963, fatkeqësisht po përsëritet edhe tani, por në formë tjetër, përmes projektit më të ri “Shkupi 2014”. Edhe demografi Agron Salihi, theksoi disa të dhëna demografike dhe dallimet etnike nga disa regjistrimet e popullsive të asaj periudhe, të cilat ishin në dëm të shqiptarëve. Sefer Tahiri elaboroi rreth raportimit të medieve rreth tërmetit, duke theksuar se radio Prishtina ishte mediumi i parë i cili e dha lajmin për tërmetin, derisa prej gazetave ishte kjo gazeta “Politika” e Beogradit përmes një botimi të jashtëzakonshëm. Ndërsa, Sevdail Demiri, përmes video-projektorit prezantoi gazetën “Flaka e vëllaznimit” se si ka raportuar për ngjarjet për dhe pas tërmetit, duke përcjellë të gjitha zhvillimet kryesore në Shkup dhe rreth tij.
Ndërkohë, kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski paralajmëroi aktivitete të ndryshme me rastin e 50 vjetorit të tërmetit. Ai tha se në këtë përvjetor pritet të marrin pjesë kryetar të kryeqyteteve nga Tirana, Sofja, Drezdeni dhe të tjera, ndërkohë do të hapet ekspozitë, do të dhurohet gjak si dhe si dhe evenimente të ndryshme kulturore. “Nëse kujtojmë si ishte Shkupi gjatë kohës së tërmetit dhe pas dhe si është tani sigurisht se duhet të jemi të gëzuar dhe të kënaqur nga ajo që ka arritur deri më sot Shkupi. Ne si gjeneratë që jemi tani e kemi për obligim të vazhdojmë dhe ta ndërtojmë Shkupin të bëhet më i bukur, më modern, me efikas dhe më human”, u shpreh Koce Trajanovski, kryetar i qytetit të Shkupit. Edhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanon iu bashkëngjit aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të tërmetit katastrofal ku vizitoi Observatorin sizmologjik. Në tryezën e organizuar morën pjesë me referimet e tyre historianë, demografë, sizmologë, gazetarë e punonjës humanitar, të cilët evokuan këtë tragjedi për Shkupin, ku kishin humbur jetën mbi 1000 veta dhe mijëra të tjerë të plagosur e të zhvendosur përgjithmonë nga Shkupi i vjetër.
Të gjitha kumtesat do të botohen në një numër të veçantë të revistës “Kërkime historike”, organ i Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni.