Shkretim pa Çmim i gërmës së 4-t e të 8-të
Shqipja me 34 shkronja
Për nga përdorimi i gjuhës, njerëzit në Shqipëri duken si të ndarë në pesë grupe:
1. Të gjithë flasin shqip.
2. Rreth 700 000 mësojnë nëpër shkolla, në gjuhën shqipe.
3. Një numër, që nuk dihet se sa është, përdor shkrimin në shqip, si mënyrë për shprehjen e mendimit intelektual dhe, të shkruarit e kanë edhe mënyrë e mundësi jetese.
4. Mijëra nga ata që dërgojnë e marrin e-mail-e, hyjnë me komente në facebook apo mënyra të tjera të komunikimit social, si dhe shkëmbejnë pafundësisht e papushim mesazhe telefonike, shumica shkruajnë për faqe të zezë.
4. Kurse, një numër i caktuar, me njohuri të kufizuara gjuhësore, janë teknicienë që, çfarë shkruajnë të tjerët, këta i hedhin në kompjuter, që në shqipe po thirren operatorë ose kompjuteristë.
Ky - grupi i pestë - por jo vetëm ky, përbëjnë një kategori të veçantë në komunikimin zyrtar dhe të dokumentave që, të gjithë nga pak, po i shkaktojn gjuhës një dëm, ndaj të cilit heshtet.
Gjatë kohës në liri është shfaqur hapur, dhe ka marrë udhë, edhe si kahje shkencore, ballafaqimi i pikëpamjeve mbi zhvillimin e gjuhës shqipe. Janë përvijuar dy këndvështrime. Njëra palë, nuk pranon të ndërhyhet në gjuhën standard, të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, më 1972. Pala tjetër, ka shtruar pikëpamjen, e argumentuar, për rishikimin e saj, përfshirjen në të, të pasurisë gjuhësore të gegnishtes dhe futjen në përdorim të paskajores. Ky ballafaqim, ku i heshur e ku i zëshëm, ku i arsyetuar me durim e ku i kundërshtuar me nervozizëm, vetëm në media e libra, por në asnjë rast, në mënyrë të organizuar e institucionale, po ngjan si në këtë anekdotë: Përpara një dere të hapur, gjinden pesë europianoperëndimorë dhe një amerikan. Europianët, me mirësjellje, prekin njëri - tjetrin shpatullave, duke pëshpëritur: “Hyni, ju lutem!” Kurse, amerikani praktik, nuk e ndalon hapin në derën e hapur. Ai futet brenda, duke thënë si me humor: “Prandaj vonohen europianët!”
Çfarë është ajo që po ndodh me shqipen, ngjashëm si në këtë anekdotë? Ndërsa palët me pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e gjuhës shqipe, ku me mirësjellje e ku pa mirësjellje vonojnë, grupi i teknicienëve moskokëçarës ka krijuar gjuhën tjetër, le ta quajmë “Shqipja me 34 shkronja”.
Nuk është diçka e papritur që, me kompjuterizimin e jetës, këtij mjeti përtej përrallës, i mungon pulla e gërmës “ë”, për cekje të drejtpërdrejtë. Grupi i teknicienëve, gjysmë të ditur e më shumë dembelë, por jo vetëm ata, ku duhet vënë patjetër “ë”, shkruajnë gjithmonë “e”, duke arsyetuar, “nuk ka gjë, njerëzia që dinë shqip, aty ku duhet “ë”, edhe pse shkruhet “e”, dinë ta shqiptojnë “ë””. Kjo mendësi dëmtuese dhe praktikë e përditshme, e ka cenuar gjuhën deri në caqe alarmuese. Pas vitit 1972, mënjanimi me kongres i foljes “asht” dhe, në vend të saj, mbajtja në përdorim vetëm e foljes “është”, çoi në dyfishimin e përdorimit të “ë”-ve dhe, pikërisht për këtë, kritikuesit e patën quajtur atëherë “Shqipja Ë”. Tani, po ndodh hakmarrja e gërmës “e” ndaj “ë”-së. Vështroni kujdesshëm dhe ditë pas dite, programet nëpër kanalet e televizioneve të Shqipërisë apo ekranet e celularëve, në mjaft raste edhe nëpër gazeta e libra, lë më nëpër dokumentat që qarkullojnë nëpër zyrat e shtetit e ato private, si si ndodh shfarosja e gërmës “ë”. Se sa keq tingëllon “Shqipja E”, mund të vërehet edhe në një rekalamë, ku një amerikane në Nju Jork, e cila nuk di shqip, thoshte “Tirane” për “Tiranë”, duke e rrahur fort theksin te gërma “e”. Sikur ajo të lexonte një tekst të gjatë, do të thoshim:”Çfarë gjuhe është kjo, që flet zonjusha?”
Shqipëria e vogël nuk mund të ndikojë zhvillimin teknologjik as sa për një gërmë. Për hir të dembelizmit në përdorimin e teknologjisë, gjuhës shqipe nuk mund t’i hiqet ”ë”-ja. Zgjidhja është e mundshme dhe e thjeshtë: kur shteti krijon policinë rrugore, për të vendosur rregull në qarkullimin e automjeteve, si për të vetat dhe për ato private ( kush e shkel ndëshkohet), edhe viktima gjuhësore “ë” duhet mbrojtur, poashtu, me detyrim shtetëror, sepse gjuha është pasuria më e madhe që ka kombi. Sa e shëmtuar është bërë shqipja e shkruar, në disa raste, ka një mënyrë për ta vërejtur: Mos e dëgjoni tekstin vetëm me “e” duke u folur nga dikush me “ë”, sepse ai, “virtualisht”, “e”-të i kthen në “ë”, por le të vihet një aktor, ta lexojë tekstin vetëm me “e”-të, siç është shkruar, dhe do të shihet sa gjuhë e shpifur përftohet e sa e përçudnuar tingëllon.
Alfabeti i gjuhës shqipe ka 36 shkronja. Gërma e tetë e tij “ë”-ja, nuk është përjashtuar nga gjuhëtarët, por po zhduket nga masakruesit. Po të shihet që, po kaq shpesh, edhe gërma “c” përjashton “ç”-në, atëherë duhet thënë se shqipja po shkon për kah 34 shkronja. Gjuha me 34 shkronja është e gjymtuar tek e shikon të shkruar, është e vështirë për ta lexuar drejt, ndërsa po të shqiptohet ashtu siç të shërbehet, nuk tingëllon shqip, madje bëhet e neveritshme.
Kush ka të drejtë për ta marrë këtë vendim:
Teknologjia?
Gjysmë të shkolluarit?
Dembelët?
Apo përgjegjësit moskokëçarës?
“Policia gjuhësore” nuk ndëshkon, ajo vetëm se po bën dëshmitarin, tek vriten gërma e tretë dhe e tetë e shqipes.