E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundër ekstradimit të Mladicit

Nga Express më 15 maj 2011 në ora 14:30

Pjesa më e madhe e qytetarëve të Serbisë, 51 për qind prej tyre, nuk do t’ia dorëzonin Ratko Mladicin Tribunalit të Hagës, ndërsa vetëm 7 për qind do ta lajmëronin dhe do të merrnin shpërblimin prej 10 milionë euro, është rezultati i anketës të bërë në Serbi në fillim të majit, të cilin e publikoi kryetari i Këshillit Kombëtar për bashkëpunim me Hagën, Rasim Lajic.

Lajic theksoi se sipas kësaj ankete, vetëm 34 për qind e të anketuarve e mbështesin arrestimin e Mladicit, 40 për qind theksuan se i akuzuari për krime të luftës është hero serb, 53 për qind theksuan se Tribunali i Hagës është i njëanshëm, ndërsa 78 për qind e të anketuarve theksuan se nuk do ta lajmëronin, për të marrë shpërblimin prej 10 milionë euro.

29 për qind e të anketuarve theksuan se autoritetet e Serbisë do ta zbulojnë dhe do ta arrestojnë Mladicin, ndërsa 49 për qind prej tyre theksuan se autoritetet nuk do t’ia arrijnë që ta arrestojnë.

Lajic theksoi se këto rezultate flasin për reagimin e qytetarëve ndaj situatës së vështirë ekonomike dhe sociale, e cila mbretëron në Serbi.

“Ambienti është i tillë që qytetarët të kërkojnë fajtorin për pakënaqësinë e tyre. Ata mendojnë se fajtor janë autoritetet dhe trysnia ndërkombëtare”, tha Lajic.

Sipas fjalëve të tij, kryeprokurori i Tribunalit në Hagë, serge Brammertz, nuk është aspak i lumtur për faktin se Mladic dhe i akuzuari tjetër, Goran Haxhic, gjenden ende në liri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›