E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi "Ibrahim Kodra" për Ana Mattamira

Nga Express më 26 maj 2011 në ora 09:12

Në vendin ku ai jetoi, për herë të parë ndahet një çmim me emrin e tij. I dedikohet të rinjve, artistëve të ardhshëm, që sapo kanë hedhur hapat e parë në rrugën e artit. Për ta emri i Ibrahim Kodrës do të thotë shumë.

Aq më tepër një medalje në duart e tyre. Dhe jo më larg se këtë fundjavë, në Itali u ndanë tri çmime me emrin e mjeshtrit shqiptar të pikturës, "Ibrahim Kodra". Është një konkurs i shpallur nga komuna e Milanos në bashkëpunim me fondacionin "Ibrahim Kodra", ku sivjet vlerësoi vetëm fituesit e parë. Për këtë çmim janë shqyrtuar mbi dhjetëra vepra të krijuara nga 27 shkolla të mesme artistike, për të renditur tre veprat më të mira.

Piktura e 17-vjeçares Ana Mattamira, mori dhe çmimin e parë të këtij aktiviteti, i cili i është akorduar artistes së re edhe në praninë e konsullit shqiptar në Milano. Çmimi i dytë i akordua Noemi Olivia për një dizajn, i treti Federika Molinellit, për një pikturë.

Përveç medaljeve, çmimit të parë iu akorduar dhe një shifër monetare prej 500 eurosh, ndërkaq dy fituesve të tjera nga një seriografi e mjeshtrit Kodra. Ky edicion i parë që mban emrin e mjeshtrit Kodra, u kurua nga skulptori Alfredo Mazzota, një prej miqve të hershëm të piktorit shqiptar.

Bashke me të, edhe drejtues të ministrisë Italiane të Arsimit dhanë vlerësimet e tyre në kujtim të Kodrës. Ndërkaq kreu i fondacionit Ibrahim Kodra, Fatos Faslliu shprehet se konkursi, do te kthehet në traditë, ndoshta çdo dy vjet dhe pse jo vetëm në Itali por edhe në Shqipëri. Për të mbështetur këtë aktivitet, që u organizua në pallatin Izimbardi në Milano u çel edhe një ekspozitë me 24 vepra të maestros shqiptar, ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 27 maj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›