E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundërshtojnë KFOR: Nuk largojmë barrikadat

MITROVICË- Pavarësisht ultimatumit të KFOR-it bërë strukturave serbe në veri që të heqin barrikadat, ende asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga ana e serbëve. Të shtunën Komandanti i KFOR-it Erhard Dreës u takua personalisht me kryetarët e komunave paralele në veri, në përpjekje për t’i bindur ata që t’i heqin barrikadat. Por, nuk ia doli.

Në mbrëmje, përmes një komunikate, KFOR-i njoftoi se të hënën do t’i heq paqësisht barrikadat në veri. Të shtunën në mbrëmje rrugët vazhduan të jenë të bllokuara. Gjatë takimit të kreut të KFOR-it me strukturat paralele në veri të Mitrovicës, komandanti Dreës, u ka shprehur atyre kërkesën e qartë.

Ai ka kërkuar nga pushteti lokal në veri të Kosovës që t`i heqin të gjitha blloqet që janë në rrugët që të shpijnë drejt veriut se krerët e strukturave paralele serbe nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë, duke u ‘arsyetuar’ me faktorin kohë.

“Është periudhë shumë e shkurtër kohore për të larguar barrikadat dhe se një gjë të tillë duhet ta diskutojmë edhe me popullatën për të marrë mendimin e tyre”,-citojnë burimet të kenë thënë krerët e serbëve të veriut. Sipas mediave ne Prishtine, numri i barrikadave vetëm sa është rritur. Serbët në veri kanë përforcuar me barrikada edhe një rrugë tjetër që te çon në lagjen Kodra e Minatorëve.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›