E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët letër Ban Ki-munit, për misionin e KFOR-it

Kryetarët e katër komunave serbe në veri të Kosovës i kanë dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, për të njoftuar se "misioni i KFOR-t ka dalë nga përgjegjësitë e tij, e cila ka çuar në përkeqësimin e pozitës së serbëve".

Në letër kërkohet që KFOR-i dhe autoritetet e Prishtinës "t`i shfuqizojnë menjëherë të gjitha masat që i kërcënojnë komunitetit serb të drejtat dhe lirinë e lëvizjes, si dhe jetën normale në veri".

Përfaqësuesit serbë i kërkojnë KFOR-it "të kthehet në kufijtë e mandatit të tij, ndërsa detyrimet t`i zbatojë në përputhje me Rezolutën 1244".

Ata po ashtu kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së "të marrin vendimin që brenda 60 ditësh të përgatiten strategjitë dhe planet konkrete për kthimin e 200 mijë personave në shtëpitë e tyre".

"Në vend që të mbrohen të drejtat e 200 mijë personave të zhvendosur, tolerohen përpjekjet e institucioneve të Prishtinës për “spastrim të ri etnik” të dhjetëra-mijëra serbëve nga veriu i Kosovës", thuhet ndër të tjera në letër.

Kjo e fundit u është dërguar edhe autoriteteve në Beograd, përfshirë presidentin Boris Tadiç dhe kryeministrin Mirko Cvetkoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›