Serbët mes biznesit dhe mjerimit
Shpesh e shoh në kalimet kufitare në mesin e turmës, e cila vazhdimisht udhëton diku, bartë valixhe, ngutet apo pret me durim. E vërej kërshërinë e tij kur përcjell qindra kamionë, të cilët nga Serbia hyjnë në Kosovë. Tregtia po lulëzon, e shoh në fytyrën e tij se mendon ashtu, por ai nuk është pjesë e atij biznesi. Në të njëjtën kohë atij i kujtohen edhe kamionët, të cilët bartin ndihma humanitare. Të gjithë këta kamionë tërheqin vëmendjen, ngase bartin mallrat të ngjashme për të njëjtin territor dhe shpesh për dy botë të ndryshme. Tani e di se për çfarë mendon ai shpesh, edhe pse nuk ia di emrin. As që është me rëndësi, ngase ai mund të jetë secili serb i Kosovës, në moshë mesatare, të cilit përkatësia kombëtare i definon se çfarë do të ndodhë me jetën e tij, dilemat, shpresat. Për këtë arsye hyj në mendimet e tij, prandaj e quaj protagonist të ngujuar në realitetin e dy botëve paralele, asaj të prosperuar dhe asaj të izoluar. Ky serb ka vërejtur këto dy botë dhe ka filluar të kërkojë vendin e tij. Deri në vitin 1999 ka punuar në ndonjë firmë, e cila tani është e privatizuar. Është larguar nga firma, është larguar nga qyteti i tij. Merr pagë minimale. Disa bashkëkombës të tij punojnë në shkolla, shtëpi të shëndetit, komuna, qeveri, kuvende-institucione të zhvendosura, të vjetra, të re. Por ai ia del disi, në relacionin pak të pagës minimale serbe, pak të asaj minimale kosovare, pak nga njëra ndihmë, e më pas pak nga ndihma tjetër. Por me kalimin e kohës, edhe kjo do të marrë fund. Tani duhet gjetur disi, të niset nga zeroja, ti kthehet vetës, ndonjë punë e re, ndonjë shpresë e re. Ngase të tjerët në vend të përmirësimit i ofrojnë pagë minimale dhe ndihmë humanitare. Ai shikon kamionët, të cilët janë nisur në drejtim të qyteteve të Kosovës dhe bartin mallrat, të cilat firmat kosovare i importojnë për ti shitur, përpunuar dhe ngjashëm. Importohet ushqim, mobilie, tjegulla, shumë prej këtyre gjërave për shkëmbim, biznes, profit, zhvillim. Gjë të gjitha gjërat vijnë nga Serbia, presidenti i së cilit vend, Tadiqi, thotë se nuk do ta njohë Kosovën as në mënyrë “implicite, e as eksplicite”. Kjo pra është e qartë. Tani protagonisti fillon të mendoj për një realitet tjetër. Para disa javësh në Kosovë ka arritur një konvoi prej 27 kamionësh me ndihma humanitare, të cilat Rusia ja ka dërguar serbëve në Kosovë. Pra rreth 300 tonë ndihma në ushqim, batanije, veshmbathje dhe agregat. Por kjo nuk është e tëra. Do të ketë edhe më shumë pasteta, miell, duke pasur parasysh se në Serbi është duke u zhvilluar fushata për mbledhjen e ndihmave për familjet serbe në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë në të njëjtin territor kamionët e biznesit dhe kamionët e mjerimit. A ka ndërmjet këtyre dy realiteteve shpresë për serbët e Kosovës? Shpresë e cila nënkupton hapësirë dhe kohë të pjesëmarrjes aktive në të tashmen dhe krijimin e ardhmërisë së parashikueshme. Ky protagonist serbë gjithnjë e më shumë po kupton se lëmosha nuk ofron zgjidhje, por edhe më tutje është i ngujuar mes biznesit dhe ndihmave sociale. Kjo gjendje është rezultat i pavendosmërisë në botën në të cilën jetojnë serbët e izoluar të Kosovës. Apo të vetizoluar. Ky serb gjithsesi se është i vetëdijshëm se koha ngadalë po e shkel. Ai nuk është as pjesëmarrës, as faktor, por është vlerësuar si kategori kombëtare, e cila ka nevojë për ndihmë humanitare. Ai nuk është aty ku diçka shitet, blihet, investohet, prodhohet. Ai nuk është pjesë e konkurrencës. Nga ky mjedis janë përjashtuar mjediset serbe. Aty nuk ka biznese të mëdha. Atij i është thënë se serbët në Kosovë kanë nevojë për ndihma, ngase janë lënë nga Beogradi. Dhe për këtë arsye ai zbulon se serbët e Kosovës janë të perceptuar si popull, i cili jeton në mjerim, në tenda, për ç’arsye edhe u janë dërguar 27 kamionë me ndihma humanitare. Protagonisti kryesor me dëshirë do të ishte në biznes, por shpesh nuk është për arsye të ndryshme, si politike, ashtu edhe shoqërore. Ndoshta nuk pajtohet me biznesin sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, se nuk dëshiron të tradhtojë shtetin serb. Ndoshta vazhdon të besojë në ndonjë sinjal, respektivisht që dikush tjetër të vendos në emër të tij, pa marrë parasysh se a Prishtina, apo Beogradi zyrtar. Ndoshta nuk di ta vërejë rëndësinë e biznesit. Nuk mund të gjendet në rrethanat e reja, prandaj nuk dëshiron të bëjë biznes jashtë kufijve të hapësirave të veta të vogla, të ashtuquajturave enklava. Nuk është në gjendje të gjendet në hartimin e projekteve, sigurimit të investimeve të vogla, në bashkëpunimin, i cili për shkak të profitit quhet interes. Nëse është e pranishme ndonjëra nga këto arsye, atëherë në ndihmë dalin paga minimale dhe ndihmat sociale. Por ai e di se kjo është vetëm një gjë sipërfaqësore, se mund të shfrytëzohet për një kohë të shkurtë, për një ditë apo për ndonjë javë. Dikujt pak nga këto ndihma, ndërsa dikujt asgjë. Ndihmat e këtilla nuk ofrojnë plan, shtegdalje, nevoja, ato janë vetëm një dhomë tjetër për pritje. Këta kamionë janë simbolikë e kthesës politike dhe ekonomike drejtë asaj për të kuptuar atë që është e arsyeshme dhe atë që nuk është. Ai tani mund të marrë guximin që të trimërohet dhe të marrë vendimin për biznes, apo për mjerim. Në kërkim të shpresës, ai në vend të ndihmave humanitare duhet të krijojë kushtet për punë, të përgatitë projekte, të kërkojë kredi të vogla, bursa, trajnime. Në vend të jetës humanitare të zhvillojë jetë aktive. Ky serb e kupton se është përgjegjës për faktin se kamionët e zhvillimit kalojnë nëpër fshatin e tij dhe nuk ndalën aty. Ai është përgjegjës për atë se fëmijët do të mësojnë se i përkasin një kategorie kombëtare, e cila ka nevojë për ndihma humanitare. Ai është përgjegjës për çdo shtyrje të kohës, për rrugën që nuk ofron sukses...ngase dikush ka thënë se nuk është i rëndësishëm caku përfundimtar, por rruga për të arritur deri aty.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Express”