Neni 87 i Kushtetutës: 71 deputetë të mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit

Kushtetuta u ndryshua konsensualisht seancën e 21 prillit 2008
Procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, e sanksionuar në Kushtetutë parashikon 5 votime, të fshehta dhe pa debat nga Kuvendi. Në ligjin themeltar të shtetit, nënvizohet fakti se në tre raundet e para, fiton ai kandidat, i cili merr mbështetjen, e përkthyer në votë, nga tre të pestat e deputetëve. Saktësisht, neni 87 i Kushtetutës, i ndryshuar me dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës në pranverën e vitit 2008, thotë se: “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Pra, në rast se asnjë prej kandidatëve nuk merr tre të pestat e votave të deputetëve, në raundin e katër kreu i shtetit zgjidhet edhe me 71 vota. Opozita është e vetëdijshme se mazhoranca i ka votat e nevojshme për të zgjedhur Presidentin e Republikës, me 71 vota, sikundër sanksionohet në Kushtetutë. Por, pakica e majtë ka bërë gati një strategji për të bllokuar procesin, duke u bazuar në argumentin se për zgjedhjen e Presidentit në tre raundet e para, është e nevojshme një kuorum prej 3 të 5 e deputetëve, kur të votohet në tre raundet e para të garës presidenciale. Opozita ka gjasa që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim të nenit 87 të Kushtetutës, para zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Por, në nenin përkatës nuk përmendet në asnjë moment domosdoshmëria që në tre raundet e para, në sallën e Kuvendit të jenë regjistruar 3 të 5 e deputetëve.
...