E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët nuk pajtohen plotësisht për autonomi

Pavarësisht faktit se raundi i tetë i bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje për Asociacionin e komunave serbe, liderët e të dyja vendeve kanë paralajmëruar se ende nuk ka përfunduar dialogu dhe se ekziston mundësia e arritjes së një zgjidhjeje.

Por, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët ditën e mërkurë, në takimin e tyre, e kanë përshëndetur qëndrimin e autoriteteve serbe, megjithatë kanë paralajmëruar se nëse arrihet një marrëveshje që nuk është e përshtatshme për ta, do të shkojnë drejt krijimit të Kuvendit të veriut të Kosovës dhe mundësisë për të shpallur autonomi për veriun e Kosovës.

Si raporton Radio Evropa e Lirë, një gjë të tillë, të mërkurën e ka thënë Kërstimir Pantiq, zëvendësshef i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, kurse shefi i tij Aleksandër Vullin gjithashtu ka theksuar se në një rrethanë të tillë serbët e veriut do t’i drejtohen Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, me pyetjen “nëse një grup joformal ka të drejtë të shpallë Kuvendin dhe autonominë në një pjesë të territorit të vet”.

Por, disa liderë serbë të veriut të Kosovë situatën e tillë e vështrojnë nga pikëpamje të ndryshme dhe shprehin mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Millan Ivanoviq, nga i vetëquajturi Këshill Kombëtar Serb, tha se ideja për të shkuar drejt një autonomie është e drejtë, për shkak të rrethanave të krijuara.

“Ne vetëm do ta vërtetonim një status, ne do ta kishim një Kuvend, të cilin do ta përbënin komunat dhe qytetarët e pjesës veriore të Kosovës. Natyrisht, do ta linim mundësinë e hapur që edhe komunat tjera t’i bashkohen asaj autonomie të popullit serb të Kosovës, ndërkohë që Kosova është pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës së saj. Do të thotë, ky do të ishte vendim edhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, tha Ivanoviq.

Por, me këtë nuk pajtohet një tjetër lider i vetëshpallur i serbëve të veriut, Marko Jakshiq. Sipas tij, ideja për një autonomi për veriun nuk është diskutuar asnjëherë në mbledhjen e të ashtuquajturit Kuvend i katër komunave të veriut.

“Ne nuk kemi diskutuar asnjëherë lidhur me këtë çështje. Mendimi im personal është që serbët nuk kanë nevojë t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pasur parasysh që neve na obligon, para së gjithash, Kushtetuta zyrtare e shtetit të Serbisë”, u shpreh Jakshiq për Rel.

Millan Ivanoviqi tha se një nismë e tillë për një Kuvend të veriut të Kosovës dhe autonomia e kësaj pjese do të ishin në përputhje me gjendjen reale të krijuar në këtë hapësirë, por Jakshiqi theksoi se kërkesa e serbëve të veriut për një autonomi do të sillte probleme të paparashikueshme.

“Me kërkesën për një autonomi të tillë, para së gjithash në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, serbët e veriut të Kosovës do të hynin në problem. Së pari, nëse do ta kërkonin këtë autonomi në raport me Prishtinën, kjo do të thotë se serbët e pranojnë Prishtinën si një shtet të veçantë. “Në anën tjetër, nëse autonominë e kërkojnë ndaj Serbisë, atëherë del se ata nuk janë të kënaqur me Serbinë dhe për këtë arsye po i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prandaj, them se kjo është një temë mjaft problematike”, theksoi Jakshiq.

Ai shtoi se kjo ide do të nxirrte në pah ose do të shkaktonte probleme të tjera në formë zinxhiri, sepse një model i tillë do të shërbente edhe për rajonet e tjera, siç është Sanxhaku, apo ndonjë rajon tjetër brenda territorit të shtetit serb./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›