E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, MSA-ja ndan autoritetet serbe në patriotë e tradhtarë



Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian i ndau sërish autoritetet serbe në tradhtarë dhe patriotë të vendit. Nga proeuropianët me në krye presidentin Boris Tadiç kjo marrëveshje është konsideruar si një hap i rëndësishëm, dhe nga ana tjetër qëndron opozita, e kryesuar nga kryeministri Vojisllav Koshtunica, i cili është shprehur se MSA-ja është thjesht një tradhti e presidentit Tadiç. “Ata që e nënshkruan MSA-në me BE-në turpëruan Serbinë dhe vetveten”. Kështu është shprehur kryeministri në detyrë Koshtunica, i cili dokumentin e quan marrëveshje të turpshme të Solanës. Sipas tij, qëllimi i vetëm i këtij dokumenti fals është tradhtia e vendit dhe fitimi i pikëve politike, me qëllim mbetjen në pushtet të presidentit Boris Tadiç dhe Partisë së tij Demokratike. Kryeministri nuk është mjaftuar me deklaratat kundër pozitës dhe u ka sugjeruar shteteve anëtare të BE-së së Marrëveshja e Stabilizim-Acocimit nuk ka asnjë domethënie për Serbinë, sepse ajo nuk do të heqë kurrë dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial. Koshtunica paralajmëroi se Kuvendi menjëherë pas zgjedhjeve do ta anulojë këtë Marrëveshje dhe turpi do tu mbetet atyre që e nënshkruan. Kundër Marrëveshjes janë shprehur edhe radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, të cilët së bashku me socialistët dhe koalicionin popullor të Koshtunicës, sipas sondazheve, do të fitojnë shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Këto parti pohojnë se Tadiç me këtë nënshkrim e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë forcat proeuropiane në Serbi kanë shprehur mendimin se kundër marrëveshjes dhe afrimit me BE-në mund të jenë vetëm ata që nuk e duan Serbinë dhe popullin. Afrimi i Serbisë me BE-në është vlerësuar pozitivisht nga autoritetet kosovare dhe presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ka kundërshtuar çfarëdo mundësie që nënshkrimi i MSA-së me Serbinë të prodhojë kompromise për bisedime të mundshme rreth Kosovës. Sipas tij ky veprim mund t’i shërbejë Serbisë për të hequr iluzionet për ndërhyrje apo për të mbajtur nën tension Kosovën. “Prekja e sovranitetit apo agresioneve të tipit kushtetues, ligjor apo të formave të tjera që bën Serbia, si me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit në Kosovë, janë të papranueshme për institucionet e Kosovës”, - tha Sejdiu. Lidhur me dyshimet për pasojat e mundshme të MSA-së për Kosovën ka folur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Havier Solana. Ai u shpreh se marrëveshja me Beogradin nuk i përket Kosovës, e cila gjendet nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Braun: “600 trupat britanike do të mbrojnë paqen në Kosovë”

600 trupat shtesë britanike që do të shkojnë në Kosovë do të ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe do të qëndrojnë aty gjatë gjithë qershorit. Kjo ka qenë deklarata e ministrit britanik të Mbrojtjes, Des Braun, pas lajmit për ardhjen e batalionit prej 600 vetash. “KFOR-i në bashkëpunim me autoritetet policore të Kombeve të Bashkuara po punojnë intensivisht rreth çështjeve të sigurisë në mënyrë që të ruajnë një mjedis të sigurt në Kosovë”, - tha Braun për të përditshmen britanike “The Guardian”. Britania e Madhe është përgjegjëse për të vënë në dispozicion të KFOR-it trupa rezervë për 6 muajt e parë të këtij viti. Trupat që do të shkojnë në Kosovë kanë qëndruar në Irlandën e Veriut dhe aty janë trajnuar për këtë mision. Ndërkohë, forcat e NATO-s kanë nisur në pjesën veriore të Kosovës manovrat ushtarake për të treguar gatishmërinë për ndërhyrje të shpejta. Kryesuesi i delegacionit të NATO-s që po qëndron në Kosovë, Rej Henollt, u shpreh se NATO-ja nuk do të ndryshojë formën e pranisë në Kosovë derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, vetëm nëse Këshilli i Sigurimit ndryshon apo zëvendëson këtë rezolutë, atëherë komanda supreme e NATO-s do të vendosë të ndryshojë formën apo përshtatjen e pranisë së saj ushtarake në Kosovë. “Kjo vizitë e Komitetit Ushtarak të NATO-s mes të tjerash ka konfirmuar aftësitë e misionit për të vazhduar punën në Kosovë”, - tha gjenerali Henollt, i cili nënvizoi se rritja e numrit të trupave në Kosovë po bëhet me vendim të Këshillit Veriatlantik bazuar në një rekomandim të Komandës Supreme për Europën.

A do të jetë shefi i ri i UNMIK-ut Zhan-Marie Guheno?

Guheno është përmendur kohët e fundit në Kosovë si shef i DPKO-së (Departamentit për Operacione Paqeruajtëse të OKB-së) që më 25 mars autorizoi Riçard Vilkonsin, shefin e Zyrës së OKB-së në Beograd, për të nisur bisedimet konfidenciale me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, më konkretisht me ministrat Samarxhiç dhe Jeremiç. Burime të sigurta diplomatike kanë konfirmuar se ambicia e Guenhos është që të jetë në krye të procesit i cili tashmë njihet me formulën e “rikonfigurimit të UNMIK-ut”, pas 15 qershorit të këtij viti, kur duhet të marrë fund roli i Administratës Ndërkombëtare dhe kur UNMIK-u duhet t’i përshtatet realitetit në Kosovë. Kjo do të thotë se nëse ai ia arrin qëllimit, Ryker do të braktisë postin e tij pas 15 qershorit sepse nuk do të kishte mandatin me të cilin ka marrë këtë post, pas largimit të Soren Jesen-Petersenit. Në këtë mënyrë, Guheno do të ishte, realisht dhe formalisht, njeriu i parë i UNMIK-ut, i cili do të qëndronte në Nju Jork, në krye të kësaj ndërmarrjeje të rikonfigurimit të UNMIK-ut.

Në korrik kosovarët pajisen me pasaporta të reja

Shtetasit kosovarë do të kenë mundësinë të pajisen me pasaportat e shtetit të ri. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajazi, sipas të cilit pasaportat do të jenë gati në muajin korrik të këtij viti. Pasaportat dhe dokumentet e tjera personale të shtetasve kosovarë do të zëvendësojnë ato të UNMIK-ut, gjë e cila do të nisë në verë të këtij viti. Ministri kosovar Pajaziti, gjatë një interviste, u shpreh se dokumentet personale të cilat janë në përgatitje e sipër të prodhimit dhe dizajnimit të tyre, do të kenë standardin më të lartë të sigurisë në rajon, të rekomanduara edhe nga ekspertë të Komisionit Europian. Ai bëri të ditur se ligji shpreh se dokumentet personale do të mundësojnë identifikimin e personave, shtetësinë e tyre dhe gjithë informacionin e nevojshëm për ta. Pajaziti u shpreh se si pas Kushtetutës së Kosovës të gjithë qytetarët kosovarë mund të ruajnë dyshtetësinë, Kosovën dhe një vend tjetër.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›