Serbi Rusi, marrëveshje për energjinë në Maj
Marrëveshja e enrgjisë midis Rusisë dhe Serbisë është shtyrë për në muajin Maj, pas zgjedhjeve të parakohshme. Kjo pasi ministrat perëndihmorë në kabinetin e koalicionit që është në fund të mandatit nuk ranë dakort këtë javë për ta miratuar.
Sipas një marrëveshjeje të janarit, Serbia do të përfshihej në projektin e tubacionit të gazit të kompanisë ruse Gazprom, që do të blinte nga ana tjetër aksione të monopolit të naftës Naftna Industrija Srbije (NIS).
Kryeministri serb Vojislav Koshtunica donte që marrëveshja të miratohej nga sesioni i rregullt i kabinetit të enjten, në mënyrë që të mund të dërgohej në parlament për ratifikim.
Megjithatë, ministrat nga Partia e tij Demokratike e Serbisë (DSS) dhe partneri i saj i vogël i koalicionit Serbia e Re nuk morën shumicën e nevojshme, pasi ata që përfaqësonin Partinë Demokratike (DS) pro-perëndimore abstenuan dhe ministrat e G17 Plus bojkotuan sesionin për të protestuar ndaj orvatjes së Koshtunicës për ta përdorur çështjen si një çështje fushate.
Për shkak se partitë DS dhe G17 Plus mbajnë shumicën e vendeve në kabinetin 22-anëtarësh, vetëm gjashtë ministra votuan në favor të marrëveshjes së energjisë.
Çarja midis qëndrimeve të Tadiç dhe Koshtunicës pë atë në se Serbia duhet të vazhdojë të kërkojë integrimin në BE pasi shumica e bllokut 27-vendesh njohu pavarësinë e Kosovës, shpuri në rënien e qeverisë muajin e shkuar. Tadiç pastaj shpërndau parlamentin dhe thirri zgjedhjet e parakohëshme.
Ai paralajmëroi të mërkurën se qeveria kujdestare nuk kishte një mandat për të miratuar marrëveshje strategjike.
Ekspertët dhe disa politikanë, duke përfshirë ministrin e ekonomisë Mllagjan Dinkiç, kanë kritikuar marrëveshjen lidhur me çmimin veçanërisht të ulët që rusët do të paguanin për NIS. Gazprom do të blinte 51% të monopolit të naftës serbe për thjeshtë 400 milion euro. Ai është zotuar gjithashtu për një 500 milion euro shtesë në investim gjatë periudhës që mbaron në 2012. Shumë e shohin marrëveshjen e propozuar si një shpërblim për Rusinë për kundërvënien ndaj pavarësisë së Kosovës.
Nxitja e Koshtunicës për të miratuar marrëveshjen thuhet se pasoi një deklarim të qeverisë ruse, që i kërkonte Serbisë të ratifikonte marrëveshjen sa më parë të ishte e mundur për të shmangur çdo vonesë të panevojshme në zbatimin e projektit.
Ministri i energjisë Aleksandër Popoviç i DSS të Koshtunicës kritikoi partitë pro-perëndimore për bllokimin e miratimit të marrëveshjes duke thënë se kjo do të ngadalësonte procesin e ndërtimit të tubacionit Rrjedha Jugore.
Por nënkryeministri Bozhidar Gjeliç, një anëtar i DS, tha se parlamenti i ri do ta ketë punën të bërë. Duke shprehur mbështetjen e partisë së tij për marrëveshjen, ai vuri në dukje gjithashtu se në qoftë se ajo do të ishte në gjendje të propozonte ratifikimin e saj pas zgjedhjeve të muajit tjetër, ajo do të bënte ashtu.