E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një guidë e re turistike për Antigonenë antike

Ditët e fundit është hedhur në qarkullim për grupet e vizitorëve vendas dhe të huaj një guidë e re turistike për sitin arkeologjik të Antigonesë antike në rrethin e Gjirokastrës. Kjo nismë u mundësua falë bashkëpunimit të Zyrës së Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhe Organizatës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike. “Realizimi i kësaj guide bëhet i mundur me fillimin e sezonit turistik duke shërbyer kështu si një material i vlefshëm informativ dhe orientues për vizitorët që mbërijnë në Parkun Arkeologjik të Antigonesë”, thonë realizuesit e guidës turistike. Pjesë e guidës është një material i pasur informativ ne lidhje me historikun e qytetërimit antik të Antigonesë, njeri prej qytetërimeve më të zhvilluara në luginën e Drinos. Ndërkohë ky material shoqërohet edhe me foto të ndryshme ilustruese të realizuara në zonat më tërheqëse të këtij siti arkeologjik. Një element ndihmës për grupet turistike është edhe një hartë orientuese në lidhje me zonën ku ndodhen rrënojat arkeologjike të Antigonesë antike.Qyteti arkeologjik i Antigonesë ngrihet mbi kodrën e Jermës, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të lumit Drino, në jugperëndim të fshatit Saraqinishtë të rrethit të Gjirokastrës. Ai zinte një vend dominues dhe njëkohësisht më të përshtatshmin nga pikëpamja ekonomike në këtë luginë. Qenë pikërisht këta faktorë që ndihmuan qytetin të zhvillohej si qendra më e rëndësishme midis vendbanimeve të tjera urbane të kësaj zone.Qytete shtrihej midids dy kreshtave të cilat lidhen me njera-tjetrën nëpërmjet një qafe të ngushtë. Kreshta e anës veriore me lartësi 700 m mbi nivelin e detit ka në majë një shesh të vogël kurse kreshta jugore e lartë 600 m është e formuar nga një numër terraca që palosen me njera-tjetër. Kudo mbi këto terraca duken gjurmë godinash të cilat megjithëse të dëmtuara vende-vende gjatë kohës, kanë një planimetri të rregullt. Antigonea zinte një siperfaqe prej 45 ha. I gjithë ky territor ka qenë i rrethuar me mure te forta më gjatësi rreth 4 000 m që mbronin qytetin në të gjitha anët e sidomos në pjesën jugore dhe perëndimore ku rrezikohej me teper për vetë natyrën e terrenit. Kodra më e lartë lidhet me vendbanimin me anë të nje korridori 4 m të gjerë të formuar nga dy linjat e murreve rrethuese. Në shtresën kulturale që mbulon banesat e zbuluara dallohen qartë gjurmët e një shkatërrimi të shkaktuar nga një zjarr i fuqishëm. Ky shkatërim duhet të këtë ndodhur ne vitin 167 p.e.s kur konsulli romak Pal Emili dogji dhe rrafshoi për tokë 70 qytete të Epirit. Mbas kësaj ngjarje tragjike duket se Antigoneja nuk e mori me veten.Gërmimet e para në Antigonenë antike u ndërmorrën në prag të Luftës së Parë Botërore nga S. Evangelidhi. Shënime më të hollësishme pastaj ka dhënë prof. N.G.L Hammond i cili vizitoi rrënojat e Jermës në vitet 30 të shekullit në vazhdim. Ky gjurmues e njohës i mirë i Epirit përveç të tjerave ka bërë përpjekje edhe për datimin e sistemit fortifikues të Jermës dhe për analogji i inkuadroi këto mure me ato të Leklit, të ndërtuara në periudhën e hershme helenistike. Gërmimet sistematike të ndërmara në Jermë qysh prej vitit 1966 nxorën në dritë një material arkeologjik mjaft të pasur i cili ndryshoi rrënjësisht përfytyrimet për këtë vendbanim. Një ndër rezultatet e rëndësishme të gërmimeve është identifikimi i rrënojave të Jermës në qytetin e Antigonesë. Kjo u bë e mundur me zbulimin e një tog teserash të rrumbullakta prej bronxi me mbishkrimin ANTITONEAN. Këto objekte të cilat përmbajnë dokumentin e parë epigrafik, që bën fjalë për qytein e Antigonesë na dhanë mundësi të korrigjojmë mendimin e shprehur më parë për këtë çështje. Një interes të veçantë në Antigone paraqesin elementët urbanistikë dhe arkitektonikë. Për të parën herë në qytetet tona këto elementë janë zbuluar në një masë të tillë që të japin mundësi të formosh, qoftë edhe në vija të përgjithshme një ide mbi planin urbanistik të një qyteti dhe veçoritë arkitektonike dhe konstruktive të banesave qytetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›