E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, kontrolle në banesat e miqve të Mlladic

BEOGRAD- Shërbimet serbe të sigurisë kontrolluan sot apartamente të personave të dyshuar se e kanë ndihmuar Ratko Mlladiçin dhe Goran Haxhiçin gjatë qëndrimit në arrati, duke bërë të mundur sekuestrimin e një "sasie të madhe dokumentesh", njoftoi sot një ministër.
"Kemi sekuestruar një sasi të madhe dokumentesh, kasetash, disqesh dhe materialesh të tjera që do të përdoren për verifikime të mëtejshme", njoftoi ministri i ngarkuar me bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, TPI, Rasim Ljajiç, i cituar nga agjencia Tanjug.

Ljajiç nuk dha detaje të tjera për këto kontrolle të kryera dje, duke shtuar se ato përfshihen në kuadrin e kërkimeve për dy të arratisurit e kërkuar nga TPI-ja, Ratko Mlladiç, ish-shefi ushtarak i serbëve të Bosnjes dhe Goran Haxhiç, një ish-shef i serbëve të Kroacisë.
"Bashkëfajtorët nuk janë objektivi ynë, por një mënyrë për të kapur Mlladiçin", shtoi Ljajiç, në numrin e sotëm të së përditshmes "Veçernje novosti".

Procesi i 10 personave të akuzuar se kanë ndihmuar Ratko Mlladiçin në arrati vazhdon në një gjykatë të Beogradit që prej vitit 2006.
Prokurori i TPI-së, Serge Brammertz, pritet të paraqesë sot përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportin e tij për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e TPI-së dhe do të japë një vlerësim për përpjekjet e Beogradit në kapjen e Ratko Mlladiçit dhe Goran Haxhiçit.
Ky raport do të jetë parësor në vlerësimin e bllokut evropian për të vendosur lidhur me përparimet e ardhshme të Serbisë drejt BE-së.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›