Serbi, ministri i Punës Rasim Lajiç jep dorëheqjen
Ministri i Punës në Serbi, Rasim Lajiç ka dhënë dorëheqjen, si rezultat i dështimit të misionit për kapjen e ish-komansantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç. Ai ishte kreu përgjegjës i ekipit për kapjen e të dyshuarve që kërkohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Lajiç kishte premtuar dorëzimin e gjeneralit serbo-boshnjak në Hagë deri në fund të vitit. Gjenerali Mlladiç akuzohet për kryerjen e gjenocidit në masakrën e 8 mijë myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në 1995, dhe për rrethimin e Sarajevës.
Rusi
Putin kritikon SHBA-të për mbrojtjen raketore
Planet amerikane për mbrojtjen raketore janë pengesa kryesore për arritjen e marrëveshjes së re mbi çarmatimin bërthamor. SHBA-të dhe Rusia kanë pohuar se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje për çarmatimin që do të zëvendësonte paktin, mandati i të cilit përfundoi më 5 dhjetor. Problemi më i madh për të arritur një marrëveshje të re sipas Putinit është se “partnerët tanë amerikanë po ndërtojnë një mbrojtje anti raketore, kurse ne jo”. Putin shtoi se planet amerikane prishin baraspeshën e pushtetit.
Kinë
Ekzekutohet britaniku i dënuar për trafik droge
Autoritetet kineze kanë ekzekutuar një shtetas britanik megjithë thirrjet e qeverisë britanike dhe familjes së tij për ta zbutur dënimin. Autoritetet britanike dhe të afërmit e 53 vjeçarit Akmal Sheik, i dënuar për trafikim droge, kishin argumentuar se ai kishte probleme me shëndetin mendor. Akmal Sheik u arrestua në vitin 2007 teksa po hynte në territorin kinez me një valixhe ku ishte fshehur një sasi heroine. Ky mendohet se është ekzekutimi i parë i një shtetasi europian në Kinë që prej më shumë se 50 vjetësh.
Bagdad
Një irakian shpërblehet për informacionin për sulmin
Një irakian është shpërblyer me 85 mijë dollarë amerikanë për informacionin që u ka dhënë forcave të sigurisë për planet për një sulm me makinë-bombë në Bagdad. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i ushtrisë së Irakut, gjenerali Kasim Ata. Sipas tij, kryeministri irakian ka vendosur ta shpërblejë personin e panjohur, i cili dha informatcion lidhur me praninë e makinës–bombë në lagjen Xhama. Qeveria e Irakut ka miratuar planet për ofrimin e shpërblimit për informata të tilla.
4 Janar 2000