E Hënë, 2 Nëntor 2026

Serbi na dogji katër herë, se nuk u deklaruam sllavë

Kryetari i shoqatës “Golloborda”: S’ka dyshim, jemi shqiptarë

Nëse do të konsiderohej minoritet, banorët e zbritur nga zona verilindore e Shqipërisë, Golloborda, do të përbënin komunitetin më të madh në qytetin e Elbasanit. Të vendosur në këtë të fundit 70 vjet më parë, ata që lanë zonën e tyre për një jetë më të mirë në qytet janë sot jo pak, por rreth 20 mijë.

Të ardhur fëmijë apo të lindur në Elbasan, gollobordasit mund të konsiderohen më shumë vendas se ata që e quajnë veten “elbasanllinj”. është tjetër gjë që sot, me identitetin e tyre përpiqen të luajnë maqedonasit, apo së fundi edhe bullgarët me pretendimin absurd se “na qenkan pakica sllave” dhe që sipas oreksit të secilit shtet, janë edhe maqedonas, edhe bullgarë, që nën kartën e të drejtave të njeriut për etninë, shteti shqiptar duhet t’u njohë “origjinën”.

“Boll na ka djegur serbi! Mos na lodhni më me këto lloj paçavuresh pakicash, se jemi më shqiptarë se shqiptarët”, thotë kryetari i shoqatës “Golloborda” në qytetin e Elbasanit, Fatmir Sinanaj. Shoqata e tij, edhe pse selinë e ka në Durrës, numëron rreth 20 mijë anëtarë në qytetin e Elbasanit.
Banorët e fshatrave të Gollobordës zbritën në Elbasan si më i afërti me zonën ku banonin, rreth viteve 1920, por më në masë 20 vjet më pas, kur Italia fashiste ishte ngjitur deri në majat e maleve të Jabllonicë-Belicës. Si mjeshtër të gdhendjes dhe punës me gurin ndër shekuj, stërgjyshërit e atyre që në Elbasan quhen gollobordas, do në nisnin me daltat e tyre të ndërtonin këtë qytet në çdo etapë historike të zhvillimit dhe ndryshimit të tij. “E deklaroj me përgjegjësi dhe shpirt patriotik se bashkëvendasit e mi nuk kanë qenë e nuk janë kurrë pakica sllave”, por autoktonë shqiptarë, rrënjët e të cilëve promovohen edhe nga emri Kastriot, që është një fshat në zemër të zonës së Gollobordës”, thotë Sinanaj. Ai sqaron se është një përrua që ndan mes për mes këtë zonë, ku e majta flet vetëm shqip dhe ana e djathtë flet një sllavishte të pashkruar, për shkak të afërsisë gjeografike e lidhjeve tregtare me Maqedoninë e sotme, por që nuk ka asgjë të përbashkët me këtë komb, e aq më larg me bullgarët.

“Kujtoj nga prindërit e mi se rreth 13 fshatra të zonës së Gollobordës janë djegur katër herë nga pushtuesit serbë gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi nuk pranuan që të regjistrohen si pakica sllave”, thotë Sinanaj.

Aktualisht në zonën e Stëblevës pak kanë mbetur nga banorët autoktonë dhe aq më pak nga ata që mund të quhen dygjuhëfolës. “Më thoni, pyet Sinanaj, se kjo gjuha sllave e vjetër, për shkak të marrëdhënieve të shumanshme me pjesën tjetër të kufirit, me çfarë alfabeti shkruhet, sikurse edhe ajo e të ashtuquajturës pakicë rome?” Sipas kreut të kësaj shoqate dhe banorëve me origjinë nga kjo zonë, shpjegojnë se klane të caktuara politike kanë luajtur me varfërinë e kësaj zone apo në mungesë të lëvizjes së lirë të shqiptarëve për viza, që në këmbim të një vize për në Europë të nënshkruanin se ishin pakica maqedonase apo bullgare, njëlloj sikurse luan greku me kartën e minoritetit për një ortodoks që jeton edhe sot në zonën e Gollobordës! Në fund të fundit, banorët e ardhur nga kjo zonë apo që banojnë ende në fshatra të Gollobordës, i kërkojnë shtetit të tyre shqiptar më tepër vëmendje në drejtim të arsimit shqip dhe infrastrukturës zonale, që si për ironi të fatit, nuk mund të krahasohet me pjesën tjetër andej kufirit. “Kush janë ata që kërkojnë pakica maqedonase apo më keq bullgare këtu?” - pyet me habi kryetari i Komunës së Stëblevës, Xhavit Boriçi, që numëron rreth 56 partizanë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore dhe mbi 50 për pavarësi. Sipas tij, nuk është nevoja për të studiuar shumë, por vetëm toponimet e vendeve apo emrat e të rriturve e fëmijëve dhe e mëson mirë se ç’popullsi është Golloborda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›