E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia: Ndërkombëtarët të respektojnë rezolutën 1244 në Kosovë

BEOGRAD- Presidenti serb Boris Tadiç zhvilloi mbrëmë një takim me përfaqësuesit e serbëve të veriut i cili zgjati disa orë. Në takim të pranishëm ishin edhe i ashtuquajturi ministri serb për Kosovë, Goran Bogdanoviç dhe kreu i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç.

Në një deklaratë për shtyp te presidentit të Serbisë, thuhet se pjesëmarrësit u pajtuan që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-i dhe EULEX-i, duhet të qëndrojnë neutral ndaj statusit të Kosovës dhe po ashtu u ritheksua mbështetja e Serbisë për qytetarët e veriut të Kosovës.

Të dy palët janë dakorduar për rëndësinë e unitetit dhe të paqes në pjesën veriore të Kosovës.

"Në bisedë konstruktive që zgjati më shumë se tre orë në një atmosferë të mirë, pjesëmarrësit arritën në përfundimin se në veri është i nevojshëm paqja dhe uniteti", thuhet në deklaratën e presidentit Tadiç.

Kurse i ashtuquajturi kryetari i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviç, pas takimit me Tadiç citohet të ketë thënë se: “Jemi pajtuar që të gjithë së bashku të ruajmë qetësinë, unitetin dhe stabilitetin në atë pjesë të Kosovës dhe të vazhdojmë bashkëpunimin me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Por, nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kërkojmë të respektojnë me përpikëri Rezolutën 1244”.

Nedeljkoviç nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do t’i heqin bllokadat nga rrugët, por tha se të martën do të mbahet takimi i udhëheqësve të komunave serbe të veriut dhe aty do të vendoset se si do të veprohet më tej.

Mediat kosovare njoftojnë se një numër qytetarësh serbë vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadës kryesore në Rudare afër Zveqanit. Situatë e ngjashme mbretëron edhe në Zupç te Zubin Potokut në drejtim të pikës kufitare, Bërnjakë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›