Serbia, aty ky ishte
Parlamenti i Serbisë përbëhet prej 250 deputetësh, të cilët zgjidhen me sistem proporcional. Të drejtën për të përfituar vende në parlament e kanë vetëm partitë ose koalicionet që e kapërcejnë pragun prej 5% të votave, përjashtuar partitë e minoriteteve të cilat mund të kualifikohen me një prag prej vetëm 0.4% të votave. Minoritetet kryesore në Serbi janë hungarezët e Vojvodinës, romët e Serbisë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në zgjedhjet e fundit rezulton, akoma jo zyrtarisht, se Partia Demokratike e Tadiç, së bashku me partitë në koalicion, ka fituar 103 vende; Partia Radikale Serbe, e Tomislav Nikoliç, 77 vende; Partia Demokratike Serbe-Serbia e Re, e ish-kryeministrit Vojislav Koshtunica, 30 vende; Partia Socialiste e Serbisë e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç, të paktën 20 vende; Partia Liberaldemokrate, e Cedomir Jovanoviç (e vetmja parti serbe që njeh pavarësinë e Kosovës), 13 vende, ndërsa 6-7 vende i fitojnë pakicat, ndër të cilat një vend e ka fituar koalicioni shqiptar i Luginës së Preshevës. Krahasuar me zgjedhjet e para një viti, vërehet se ekstremet (radikalët dhe socialistët) pothuajse nuk kanë lëvizur, ndërsa elektorati i qendrës ka pësuar ndryshim. Radikalët dhe socialistët kanë ruajtur pak a shumë rezultatin e mëparshëm (të parët kanë humbur 4 deputetë dhe të dytët janë rritur me po kaq deputetë), koalicioni rreth Tadiç ka një rritje relative, ndërsa i humburi në rezultat ka qenë Koshtunica (-17 deputetë). Ky është elementi më domethënës që tregon se, ndonëse shumë ngadalë, serbët po shkojnë drejt një orientimi properëndimor.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, të 11 majit, radikalët e Nikoliçit (në fakt të Sheshelit) së bashku me Koshtunicën dhe socialistët e Millosheviçit mund të krijojnë një qeveri me mbështetjen e të paktën 127 deputetëve. Përjashtuar këtë koalicion, tepër të brishtë, midis këtyre partive që tani për tani e kushtëzojnë orientimin e politikës së jashtme serbe me qëndrimin ndaj Kosovës, nuk mund të gjendet asnjë lloj koalicioni tjetër që, në planin e jashtëm, të jetë i orientuar në të njëjtin drejtim. Ndërsa në planin e brendshëm, kjo qeveri- për shkak të mbështetjes në kufijtë minimalë- nuk do të mund të siguronte stabilitet afatgjatë.
Për të pasur një stabilitet të brendshëm, qoftë edhe të përkohshëm, serbëve do t’iu duhej t’i riktheheshin koalicionit të mëparshëm qeverisës Tadiç-Koshtunica, koalicion i cili në axhendën kryesore të tij do duhej të kishte përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi nuk mund të rezistonte gjatë, në kushtet kur është shumës më i dobët nga i mëparshmi. Varianti tjetër i mundshëm për të pasur një qeveri do të ishte një koalicion i Tadiç me socialistët e Millosheviçit dhe liberalët e Jovanoviçit, ku do të duhej të bashkëpunonin dy ekstremet si në planin programor, ashtu edhe në atë të orientimit së jashtmi. Nuk është e qartë se çfarë kushtëzimi do të vinin socialistët e Millosheviçit për të qenë pjesë e këtij lloj koalicioni, në raport me integrimin e Serbisë në BE. Ky bashkëpunim, që po përflitet më së shumti, me risk për socialistët, do të funksiononte deri diku së brendshmi, por jo së jashtmi. Do të ishte utopi, të mendohej se socialistët e Millosheviçit do ta çonin Serbinë drejt Europës!
Sido që ta kapësh, ngado që ta llogaritësh, një gjë është e sigurt: Serbia ka mbetur aty ku ishte: në udhëkryq, mes Brukselit dhe Moskës, diçka më afër Moskës, për shkak të pozicionimit ekstrem të ish-kryeministrit Koshtunica në raport me integrimin e Serbisë në BE dhe kushtëzimit të këtij procesi me Kosovën. Vetëm se këtë radhë, pika kyçe për krijimin e qeverisë nuk janë më demokratët e Koshtunicës por socialistët e ish-presidentit Millosheviç, ndërsa është rritur numri i faktorëve që kushtëzojnë shumicën parlamentare Më parë, qeverinë mund ta formonin vetëm partia e Tadiç dhe ajo e Koshtunicës, me përkatësisht 81dhe 47 vende në Parlament. Krahasuar me zgjedhjet e para një viti, situata është komplikuar sa i përket aritmetikës së votave në parlament, pasi është shtuar numri i ekuacioneve dhe i të panjohurave të sistemit brendaparlamentar, që kushtëzojnë arritjen e një shumice.Serbia, shumë shpejt, do të duhet të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.