Shembet tuneli, plagosen dy punonjës të autostradës
Kukës, shembja e masivit të dheut në tunelin e Kalimashit i ka rrezikuar jetën një punëtori shqiptar dhe një turku
KUKËS- Dy punonjës të kompanisë “Bechtel & Enka” janë plagosur mesnatën e së hënës teksa ishin duke punuar në tunelin e Kalimashit. Tuneli është shembur dhe për pasojë sasi të mëdha materialesh inerte kanë përfunduar mbi trupat e tyre duke i shkaktuar dëmtime të ndryshme. Një prej punëtorëve është shtetas shqiptar nga fshati Kalimash i Kukësit ndërsa tjetri është shtetas turk, edhe ai punëtor i firmës që po ndërton autostradën Durrës- Kukës. Ky është i disajti aksident që ndodh gjatë punimeve për ndërtimin e kësaj autostrade.
***
Burime nga kantieri i ndërtimit pohuan dje se Selim Lugja, nga fshati Kalimash i Kukësit, dhe një shtetas turk, janë dy punonjësit që kanë marrë plagë të ndryshme në aksident. Sipas tyre, plagosja e dy punonjësve ka ardhur si rezultat i një shembje dheu. “Selim Lugja ka pësuar një plagë të lehtë në dorë, ndërkohë që shtetasi turk ka marrë një plagë disi më të rëndë në muskujt e krahut”,- thanë dje burimet nga kantieri. Ndërkohë, burime nga spitali i Kukësit kanë bërë të ditur se punëtori shqiptar i kompanisë, pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm në spitalin e Kukësit, është larguar për në shtëpinë e tij. Ndërkohë, shtetasi turk është larguar për në Tiranë, pasi plaga e tij kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale estetike të specializuar. “Kjo ndërhyrje nuk mund të realizohej në spitalin tonë e për këtë arsye e nisëm për në Tiranë”,- thanë dje mjekët e spitalit rajonal. Ky është aksidenti i tretë me plagosje të lehta që ndodh në pjesën e tunelit të Kalimashit. Drejtues të kompanisë i quajnë keto aksidente të zakonshme dhe theksojnë se janë me fat se kanë ndodhur aksidente me plagë të lehta.
***
Punëtorët lokalë që janë të mobilizuar në këtë projekt janë 60 për qind me 40 për qind në favor të të huajve. Kjo, sipas drejtuesve të kompanisë, vjen ngaqë shqiptarët nuk e kanë eksperiencën e duhur për vepra të këtyre përmasave. Megjithatë, punonjësit e huaj në tunelin e Kalimashit janë kryesisht ato që përdorinmakineritë e sprucimit me beton dhe ato të shpimit. Ndërsa aktivitetet e tjeraqë janënë tunel simbushja e vrimave me dinamit, transportimi i materialeve me kamionë jashtë, sjellja e betonit brenda në tunel deri tek punët e përgjithshme të krahut brenda në tunel, realizohen nga punëtorët shqiptarë. Në kantierin e Fushë-Dukagjinit janë të mobilizuar 430 punonjës, ku 370 janë punëtorë dhe 60 është stafi drejtues dhe inxhiniero-teknik. Burime nga kantieri pohuan dje se ndërtimi i dy tuneleve të Kalimashit, secili me një gjatësi prej 5,5 kilometrash, është pjesa më e vështirë e ndërtimit të autostradës Morin- Kukës- Durrës. Punimet për hapjen e tuneleve kanë nisur në muajin prill të vitit të kaluar dhe parashikohet të përfundojnë në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Rreth 4,4 kilometra është gjatësia e hapur në të dy tunelet.