E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollet, 2 pastiçeri me akullore të ndotura

 

Sipas Drejtorisë së Higjienës, ëmbëlsirat janë të ndotura mikrobiologjikisht. Mjekët e Infektivit: Çdo ditë, pacientë të helmuar nga ushqimet

Helmimet për shkak të produkteve ushqimore të pakontrolluara kanë filluar të shfaqen me rritjen e temperaturave. Kështu, mjekët e Spitalin Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pohojnë se me ardhjen e stinës së nxehtë, kanë filluar të paraqiten pacientë të helmuar nga ushqimet. Ndërkohë edhe Drejtoria e Higjienës, pas kontrolleve të ushtruara, ka evidentuar disa probleme në disa subjekte të cilat tregtonin produkte me ndotje mikrobiologjike. Sipas shefit të Sektorit të Higjienës Ushqimore pranë kësaj drejtorie, Shaban Veliterna, janë evidentuar 2 pastiçeri që tregtonin ëmbëlsira me ndotje fekale.

Produktet

Konsumimi i produkteve mikrobioligjikisht të ndotura, rrezikon shëndetin e banorëve ndaj dhe Drejtoria e Higjienës ka filluar kontrolle. Sipas Shaban Veliternës, kontrollet më të rrepta do të jenë mbi subjektet që tregtojnë akullore dhe ëmbëlsira pasi këto subjekte kanë shfaqur probleme edhe gjatë vitit të kaluar. “Nga 9 pastiçeri ëmbëlsirash që u kontrolluan, mostrat e marra treguan se 2 pastiçeri tregtonin ëmbëlsira me ndotje fekale”,- pohon Veliterna, duke shtuar se detyrë e tyre është të kontrollojnë pikërisht higjienën e këtyre subjekteve. Sipas tij, problematike sa i takon ndotjes mikrobiologjike janë paraqitur sidomos akulloret, pasi këtë e treguan 22 mostrat e marra në analizë. Ndërkohë ai thekson se ndaj këtyre subjekteve janë marrë masa ndëshkimore dhe se do të jenë vazhdimisht në qendër të kontrolleve. “Nëse do të verifikojmë probleme të tilla, ndëshkimet do të fillojnë që nga asgjësimi i mallit, mbyllje e subjektit dhe do t’u vendosen gjoba”,- thekson Veliterna. Gjithashtu, ai u bëri thirrje të gjitha strukturave përkatëse të ndihmojnë në kontrollin e subjekteve pasi higjiena nuk është vetëm problem i shëndetësisë, por edhe i të gjithë njerëzve.

Mjekët

Kujdes nga produktet që konsumoni, ato mund të shkaktojnë helmime të rënda nëse janë të ndotura mikrobiologjikisht. Ky është apeli i mjekëve të Spitalit Infektiv në QSUT, të cilët theksojnë se temperaturat e larta i stimulojnë këto helmime. “Tashmë paraqiten çdo ditë pacientë të helmuar, për të marrë ndihmë mjekësore. Madje numri i tyre arrin deri në 20 në ditë dhe mendojmë se kjo ka ardhur pikërisht nga produktet e pakontrolluara, të cilat në temperatura të larta japin efekt shumë negativ mbi organizmin e qytetarëve”,- shpjegojnë mjekët e Infektivit. Sipas tyre, pacientët janë paraqitur me të vjella, diarre dhe këputje trupore, shenja të cilat janë tipike për helmimet nga ushqimet e ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›